Fatmira Xhaferraj
Fatmir Xhafaj e kaloi “vijën e kuqe”. Nuk është hipotezë, as fantazi e ndonjë të pakënaquri që e sheh Xhafajn thjesht si “dru të shtrembër” në PS. Është konstatim brenda Partisë Socialiste thënë me zë të lartë, por ende pa veprim konkret që nënkupton vendim politik.
Por pavarësisht nga kjo, deklaratat e fundit të Fatmir Xhafajt kundër institucioneve të pavarura dhe vetë qeverisë “Rama” nuk përbëjnë thjesht një thyerje të disiplinës, burimin e së cilës e pamë qartë në përplasjet më të fundit parlamentare. I zgjedhur në krye të një Komisioni të posaçëm parlamentar, arkitekti i Reformës në Drejtësi ka ndërmarrë një ofensivë të papritur, duke akuzuar kabinetin qeverisës për “gabime” në qasjen ndaj agjencive rregullatore dhe ligjzbatuese, të cilat u përzgjodhën dhe u votuan nga vetë kjo maxhorancë. Kjo kritikë e ashpër e drejtuar nga brenda mureve të kështjellës socialiste mbart një peshë specifike që shkon përtej retorikës sipërfaqësore. Ajo që po dëshmohet nuk është një rebelim parimor për hir të llogaridhënies, por një përpjekje e dëshpëruar për të rifituar kontrollin mbi një sistem që po u rrëshqet nga duart, duke shpërfaqur hapur krizën e thellë të besimit që ka përfshirë strukturat më të larta të pushtetit.
Kjo tendencë kontrolli u vu re së fundmi edhe në sjelljen e tij ndaj Avokatit të Popullit, Endri Shabani. Një qëndrim që ngjante më shumë me një sjellje prej gangsteri sesa me atë të një shtetari të ekuilibruar. Irritimi dhe sulmi i tij ndaj Shabanit nuk ishin spontane, por një hakmarrje e pastër personale, pasi ky i fundit i hoqi nga puna si Komisionere e të Miturve njeriun e tij, Olta Aliajn. Duke u ndier i cenuar në terrenin e tij të influencës, Xhafaj reagoi me arrogancë, duke dalë krejtësisht nga roli i tij zyrtar si kryetar i komisionit parlamentar për të larë hesapet me ata që guxojnë t’i prekin lojtarët në fushë.
Pas këtij irritimi të papritur institucional, fshihet zhgënjimi për pazaret e munguara dhe humbjen graduale të terrenit. Përtej retorikës për “sundimin e ligjit”, shqetësimi real i Xhafajt lidhet me faktin se njerëzit e klanit të tij, ata që dikur përbënin bërthamën e ndikimit në prapaskenë, po mbeten jashtë sistemit të ri të drejtësisë dhe jashtë vendimmarrjes ekzekutive. Ky pozicionim merr një kuptim plotësisht pragmatik kur analizohet në dritën e raporteve të tij të ngushta me fraksionin e Tiranës dhe, veçanërisht, me kryebashkiakun Erion Veliaj. Në një kohë kur ky i fundit gjendet nën një presion të jashtëzakonshëm ligjor për shkak të skandaleve korruptive në institucionin e bashkisë, lëvizjet e Xhafajt funksionojnë si një mburojë politike e mirëmenduar. Duke zhvendosur fajin te “gabimet e qeverisë” dhe duke sulmuar integritetin e drejtuesve të institucioneve të pavarura, Xhafaj tenton të relativizojë përgjegjësitë e grupimit të tij politik. Kjo strategji synon të dërgojë një sinjal të qartë: goditja e interesave të këtij kllani nuk do të kalohet në heshtje, pasi mbrojtja e këtij fraksioni konsiderohet jetike për mbijetesën e vetë makinerisë së tyre.
Në këtë kontekst, ky zë kritik dhe i panënshtruar po merr përmasa të një kapërcimi të hapur të kompetencave ligjore. Shkelja e rëndë që ai bëri së fundmi me SPAK-un, duke zhvilluar një dëgjesë të zgjatur me themel mbi çështjet hetimore e strukturore, kur në fakt objekti i komisionit të tij është tjetër. Ai duhet të merrej ekskluzivisht vetëm me koordinimin dhe miratimin e rezolutës. Kjo dëshmon qartë agjendën e tij të fshehtë. Kjo tentativë për të vënë nën presion apo për të diktuar mbi organin më të rëndësishëm të akuzës në vend është tamam “kënga e mjellmës” për të. Është akti i fundit i një karriere të gjatë dhe komplekse politike, një lloj klithme përpara tërheqjes së pashmangshme nga skena operative.
Kur një politikan me përvojën dhe peshën e Xhafajt vendos të luajë me thyerje të tilla procedurale dhe të flasë pa doreza kundër emërimeve të vetë partisë së tij, kjo dëshmon se ai po luan me kartën e fundit të presionit për të diktuar kushtet e largimit. Pyetja që ngrihet natyrshëm në këtë ekuacion është se përse Edi Rama vazhdon t’i besojë poste të rëndësishme një njeriu që po i minon narrativën e suksesit. Përgjigja qëndron te pragmatizmi i ftohtë i kryeministrit, i cili e përdor ende Xhafajn si një “ventil shkarkimi” për to menaxhuar ekuilibrat e brendshëm përpara sfidave të ardhshme elektorale.
Megjithatë, kjo lojë mund të kthehet shpejt në një bumerang fatal për kryetarin e komisionit. Hapësira për një mbështetje të sinqertë dhe të qëndrueshme mes tyre ka shteruar plotësisht. Në të vërtetë, Rama po i jep litarin me të cilin Xhafaj mund të varë veten politikisht. Duke e lënë të ekspozohet në sulme të hapura ndaj institucioneve të pavarura si SPAK apo në debate banale parlamentare, kryeministri po krijon terrenin dhe po grumbullon të gjithë “municionin” e nevojshëm për ta kryqëzuar atë në një të ardhme shumë të shpejtë. Në momentin që kjo “këngë mjellme” dhe lëvizjet e klanit të tij do të kthehen në një kosto të papranueshme publike, Rama nuk do të ngurrojë ta izolojë dhe ta sakrifikojë Xhafajn, duke e shitur fundin e tij politik si një akt tjetër të pastrimit të partisë. Për momentin, palët thjesht po monitorojnë lëvizjet e njëra-tjetrës në një armëpushim të tensionuar, ku asnjëri nuk mund të tërhiqet pa paguar një kosto të lartë, por ku fundi i historisë duket se është shkruar tashmë nga ai që mban çelësat e pushtetit.

