34.5 C
Tirana
Wednesday, August 19, 2026

Vrasja e turistit në Ksamil, shpallet në kërkim pronari real i “Principotes” Bekim Bulica dhe një polic, detaje si u ekzekutua 21-vjeçari portugez

Sokrat Vata, 29-vjeçari i arrestuar për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, është marrë në pyetje nga grupi hetimor lidhur me rrethanat e krimit të rëndë, por ka zgjedhur të mos japë asnjë deklarim para hetuesve.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe dy shtetasit turq, të cilët po shoqëronin Vatën gjatë përpjekjes për t’u arratisur.

Në prani të përkthyesve, ata kanë deklaruar se ishin klientë të përhershëm në lokalin “Principotes” dhe se e paguanin 29-vjeçarin si bodigard e shoqërues personal.

Ata kanë sqaruar se e kishin marrë Vatën në automjet thjesht për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin krijuar me të. Hetuesit kanë pyetur gjithashtu miqtë e viktimës, të cilët kanë sqaruar dinamikën e ngjarjes.

Sipas dëshmive të tyre sherri dyshohet të ketë nisur fillimisht pas ngacmimit të një vajze brenda ambientit të lokalit. Në konflikt u përfshinë shumë persona që po përlesheshin me njëri-tjetrin, situatë ku ndërhynë edhe rojet e sigurisë.

Në kërkim pronari real

Bekim Bulica është shpallur në kërkim nga policia në kuadër të hetimeve për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.

Bulica rezulton pronar i lokalit “Principotes”, ku ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa hetuesit po verifikojnë personat e përfshirë në konflikt dhe veprimet e kryera pas vrasjes.

Për vrasjen e 20-vjeçarit është arrestuar Sokrat Vata, 29 vjeç, i cili u kap disa orë pas ngjarjes në aksin Levan-Fier. Vata u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti, teksa dyshohet se po tentonte të largohej nga zona.

Në kuadër të hetimit është ndaluar edhe Moisid Matushaj, specialist hetimi në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër. Matushaj, i cili punonte edhe si roje sigurie në të njëjtin grup me Vatën, dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që i parapriu vrasjes dhe se ka ndihmuar autorin e dyshuar të largohej nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, emri i Bekim Bulicës është përmendur edhe më herët në materiale hetimore që lidhen me dyshime për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Në fokus të raportimeve të reja është edhe pronësia e strukturës turistike ku ndodhi ngjarja. Sipas të dhënave të publikuara ne media, “Principotes” rezulton e regjistruar nën emrin e 70-vjeçares Kade Bulica, nga Kukësi, me një kapital prej 100 mijë lekësh.

Ajo është nëna e Bekim Bulicës, emër i cili është përmendur më herët në kronikat e zeza dhe në çështje të ndryshme penale.

Në maj 2024, gazeta prestigjoze franceze Le Monde publikoi artikullin “Overdose”, ku përshkruante një shqiptar të identifikuar me pseudonimin “Zamir”, i cili drejtonte një nga call center-at më të lulëzuar të kokainës në Paris.

“Zamir”, shkruan Le Monde, kishte rrëmbyer dhe rrahur me shkopa bejsbolli një prej shpërndarësve të tij që u largua me gjysmën e klientelës, e më pas e kishte përhapur videon e rrahjes në rrjetet sociale për të frikësuar të tjerët. Redaksia franceze ia ndërroi emrin Bekim Bulices sepse personi ishte nën hetim nga Brigada Franceze e Narkotikëve.

Sipas të dhënave të bëra publike, Bekim Bulica ka jetuar në Francë dhe është ekstraduar në Shqipëri në shkurt të vitit 2021, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për çështje që lidhen me kanosjen dhe mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve.

Emri i tij është përmendur sërish në vitin 2023, pas një ngjarjeje të dhunshme në Tiranë, ku së bashku me persona të tjerë dyshohet se sulmoi një punonjës policie dhe vëllain e tij.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat