20.9 C
Tirana
Monday, September 28, 2026

Akademia e Shkencave uron akademikun dhe Presidentin e Shoqatës së Kimistëve Shqiptar, Ilirjan Malollarin për 70 vjetorin e lindjes

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë uron akademik Ilirjan Malollarin në 70-vjetorin e lindjes, për shëndet, suksese dhe vijim të mbarë të veprimtarisë së tij akademike e shkencore.

Akad. Malollari ka lindur më 28 shtator 1956 në qytetin e Korçës, ku kreu arsimin tetëvjeçar. Më pas ndoqi Shkollën e Mesme Teknologjike në Tiranë dhe studimet universitare në degën e kimisë industriale, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës (1975–1980).

Pas diplomimit, në vitin 1981, u emërua për kryerjen e stazhit pranë Laboratorit Qendror të Kimisë në Tiranë, ku realizoi edhe punimin e diplomës. Në periudhën 1982–1987 punoi në Kombinatin e Sintezës dhe Prodhimit Kimik në Elbasan. Në vitet 1987–1988 kreu specializimin me kohë të plotë në Inxhinieri Kimike dhe, për rezultatet e shkëlqyera, u emërua pedagog pranë Departamentit të Kimisë Industriale, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në vitin 1989.

Akademik Malollari ka kryer gjithashtu funksionin e përgjegjësit të grupit mësimor-shkencor në Inxhinierinë e Proceseve Kimike, që prej themelimit të drejtimit të studimeve Master i Shkencave në Inxhinierinë e Proceseve Kimike.

Akademik Malollari është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që prej vitit 2009, fillimisht si akademik i asociuar dhe, në vitin 2020, si anëtar i rregullt i Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me titullin “Akademik”. Atij i është akorduar “Medalja e Punës” nga Kuvendi Popullor, me motivacionin: “Për futjen e të rejave të shkencës në prodhim”.

Gjatë veprimtarisë së tij akademike, pedagogjike dhe shkencore, akademik Ilirjan Malollari ka udhëhequr dhjetëra diploma studentësh të nivelit Master i Shkencave, brenda dhe jashtë vendit, si dhe disertacione për gradën “Doktor i Shkencave”. Ai është autor i mbi 25 teksteve shkencore universitare, mbi 10 monografive, 15 raporteve teknike dhe komunikimeve shkencore. Ka prezantuar dhe publikuar mbi 400 artikuj shkencorë brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka marrë pjesë e ka referuar në dhjetëra konferenca dhe kongrese kombëtare e ndërkombëtare.

Ai zotëron njohuri në fushën e digjitalizimit dhe aftësi në shkencat kompjuterike. Akademik Malollari zotëron disa gjuhë të huaja në nivele të ndryshme, të cilat i përdor si gjuhë pune për materiale shkencore, komunikim verbal e të shkruar, artikuj, raporte teknike dhe prezantime. Ai zotëron në nivel shumë të mirë anglishten, frëngjishten dhe greqishten, ndërsa rusishten dhe italishten në nivel të mirë.

Ai është anëtar dhe pjesëmarrës aktiv në disa asociacione, shoqata dhe organizma profesionalë të huaj e vendas, si dhe anëtar i bordeve editoriale të disa revistave shkencore autoritare.

Akademik Malollari vijon të jetë President i Shoqatës së Kimistëve Shqiptarë, detyrë që e ushtron prej më shumë se 20 vitesh. Ai është gjithashtu zv. president i MESAEP (Mediterranean Scientific Association of Environmental Protection), anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave Mjedisore, kryetar i Byrosë Kombëtare të Asociacionit Ballkanik të Mjedisit (BENA), anëtar i IUPAC (International Union of Pure and Applied Chemistry), anëtar i FECS (Federation of European Chemical Societies) etj.

Akademik Malollari ka marrë pjesë në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare me statuse të ndryshme, nga anëtar partner dhe ekspert deri në koordinator, në më shumë se 30 projekte me përfitim shkencor dhe institucional dhe me financime të konsiderueshme.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat