20.4 C
Tirana
Wednesday, November 11, 2026

Nga plagosja në Vlorë te trafiku i drogës, zbulohet skeda e Luka Beqiraj, të ekzekutuar në Spanjë

Dalin në dritë detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i 39-vjeçarit shqiptar Luka Beqiraj në Spanjë, në zonën Orihuela Costa të provincës Alicante. Shqiptari me origjinë nga Vlora rezulton një person me precedent të mëparshëm penalë në Shqipëri dhe Itali.

Sipas mediave spanjolle, autori i është afruar 39-vjeçarit shqiptar dhe e ka qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt. Menjëherë pas vrasjes, ai është larguar me shpejtësi nga vendngjarja duke përdorur një skuter elektrik.

Mënyra se si është kryer vrasja ka ngritur dyshime te hetuesit se mund të bëhet fjalë për një krim me pagesë. Autoritetet po hetojnë gjithashtu mundësinë e lidhjes së krimit me rrjetet e organizuara kriminale që veprojnë në këtë pjesë të Spanjës.

Luka Beqiraj rezulton të ketë pasur përplasje me drejtësinë që prej vitit 2016, kur u arrestua në Vlorë, në moshën 28-vjeçare, për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje. Tre vite më vonë, në vitin 2019, emri i tij u përfshi në një tjetër dosje penale, këtë herë me përmasa ndërkombëtare.

Beqiraj u arrestua në kuadër të një operacioni të përbashkët antidrogë mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane nën akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Operacioni u zhvillua njëkohësisht në Shqipëri dhe Itali dhe kishte në shënjestër një rrjet kriminal të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, armëve dhe municioneve nga Shqipëria drejt territorit italian.

Në Vlorë, gjatë ndërhyrjes së policisë, u ndaluan gjashtë persona: Luka Beqiraj, Bilbil Kabello, Arbnor Hoxhaj, Denis Pashaj, Kujtim Elmazi dhe Kristian Llanaj.

Paralelisht, në Itali, operacioni i koduar “Lulet e Pranverës” çoi në arrestimin e 27 personave, prej të cilëve 21 ishin shtetas shqiptarë. Ata akuzoheshin për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe armëve të zjarrit.

Hetimet e autoriteteve italiane zbuluan veprimtarinë e një rrjeti kriminal që dyshohej se kishte trafikuar rreth 10 tonë lëndë narkotike gjatë viteve të aktivitetit të tij.

Sipas hetimeve, droga, kryesisht marijuanë, transportohej nga Shqipëria drejt Italisë, ku fillimisht magazinohej në zonën e Salentos. Më pas, lënda narkotike shpërndahej në rajone të ndryshme të territorit italian përmes lidhjeve të rrjetit kriminal.

Organizata dyshohej gjithashtu për trafikimin e armëve dhe municioneve, duke shfrytëzuar rrugët e paligjshme të transportit mes dy vendeve.

Në vitin 2020, Luka Beqiraj, atëherë 32 vjeç, u dënua me katër vite e gjysmë burg dhe një gjobë prej 24 mijë eurosh për përfshirjen e tij në veprimtarinë kriminale të trafikut të drogës.

Provinca e Alicantes ku ndodhi vrasja e Beqirajt dhe zona bregdetare e Costa Blanca përmenden në raportimet e mediave spanjolle si territore me rëndësi për aktivitetin e organizatave kriminale ndërkombëtare.

Pozicioni gjeografik, afërsia me portet detare, lidhjet përmes autostradës A-7 dhe qarkullimi i madh i njerëzve në aeroporte konsiderohen faktorë që mund të shfrytëzohen nga rrjetet kriminale për lëvizjen e personave dhe mallrave.

Sipas analizave të mediave vendase, qytete si Orihuela Costa, Torrevieja dhe Benidorm, të karakterizuara nga një popullsi e madhe ndërkombëtare, mund t’u ofrojnë mundësi anëtarëve të organizatave kriminale të qëndrojnë pa tërhequr vëmendjen.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me investimet në pasuri të paluajtshme luksoze dhe biznese lokale, të cilat mund të përdoren për pastrimin e të ardhurave të përfituara nga trafiku i drogës.

Mediat spanjolle raportojnë se disa rrjete kriminale me origjinë nga Ballkani kanë rol në organizimin e transportit dhe shpërndarjes së sasive të mëdha të kokainës në rajonin e Mesdheut.

Pavarësisht këtyre të dhënave, nuk ka ende prova të bëra publike që e lidhin drejtpërdrejt vrasjen e Beqirajt me një organizatë të caktuar kriminale.

Hetimet e Gardës Civile vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorit, zbardhjen e motivit të vrasjes dhe përcaktimin nëse pas sulmit qëndrojnë persona të tjerë që mund ta kenë organizuar apo porositur atë.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat