Zamira Voci
Në Shqipëri duket se kemi shpallur një fituese të përhershme të konkursit të bukurisë institucionale. Quhet SPAK. Të gjithë i shkojnë pas, të gjithë e përmendin, të gjithë presin një shikim prej saj dhe çdo lëvizje e saj kthehet në lajm. Politikanë, analistë, gazetarë e qytetarë duket sikur kanë vetëm një emër në fjalor. SPAK është bërë Miss Albania e drejtësisë shqiptare, ndërsa pjesa tjetër e institucioneve duket sikur ka mbetur në prapaskenë, pa grim, pa ndriçim dhe pa shumë spektatorë.
Por drejtësia nuk është konkurs bukurie dhe shteti nuk është një sallë ku të gjithë duhet të duartrokasin të njëjtën vajzë. Ku janë KLGJ, KLP,, ILD, gjykatat dhe institucionet e tjera të sistemit? A nuk ishte reforma në drejtësi një projekt për të ndërtuar një sistem funksional, apo thjesht një projekt për të prodhuar një yll që do të mbante gjithë skenën? Një drejtësi me vetëm një protagonist i ngjan një teatri ku aktorët e tjerë kanë harruar tekstin ose nuk janë ftuar fare në skenë, pavarësisht se Këshillat kanë problene shpesh të bëra edhe publike, ndlërsa ILD është institucion aristokrat dhe nuk bën zhurmë, por punë.
Nuk diskutohet rëndësia e SPAK-ut dhe as nevoja për një prokurori të posaçme që të hetojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, pavarësisht se kush qëndron pas tyre. Por mes pritshmërisë dhe rezultatit ka një distancë që nuk mund të mbulohet me duartrokitje. Hetimet për Ahmetajn, Ballukun, Veliajn, Benet Becin e të tjerë janë kthyer në emra të përditshëm të debatit publik. Por deri kur do të mbeten në listën e pritshmërive? Hetimi nuk është fundi i historisë, as një emër në dosje nuk është provë fajësie. Qytetarët presin përfundime, prova, procese të drejta dhe vendime gjyqësore. Përndryshe, rrezikojmë të ngatërrojmë zhurmën e motorit me mbërritjen në destinacion.
Edhe raportet e Komisionit Europian duket se kanë një simpati të veçantë për këtë protagoniste. Çdo hap i SPAK merr vlerësim, çdo zhvillim shihet si shenjë suksesi. Por a nuk ka këtu edhe një interes për të mbrojtur vetë reformën në drejtësi, këtë investim të madh politik dhe diplomatik të partnerëve ndërkombëtarë? Është e kuptueshme që askush nuk dëshiron ta shpallë të dështuar një projekt ku ka investuar kaq shumë. Por dashuria për projektin nuk duhet të kthehet në verbëri ndaj rezultateve. Një raport europian nuk duhet të jetë album fotografik me portretet e sukseseve, por edhe një pasqyrë ku shihen qartë mangësitë.
SPAK ka fituar famë. Këtë nuk ia mohon dot askush. Por fama është një gjë, bilanci i punës është tjetër. Një institucion nuk mund të jetojë pafundësisht me kredinë e pritshmërive dhe as të marrë duartrokitje vetëm sepse ka hyrë në skenë. Madje, sa më e madhe fama, aq më e madhe duhet të jetë përgjegjësia për rezultatet.
Në fund, Shqipëria nuk ka nevojë për një Miss të drejtësisë, që të gjithë t’i shkojnë pas, por për një sistem ku të gjitha institucionet të jenë në lartësinë e detyrës. Sepse drejtësia nuk është çështje simpatish, fansash dhe popullariteti. Është çështje rezultatesh. Dhe qytetarët, për fat të keq, nuk mund të jetojnë me kurorën e një konkursi. Kanë nevojë për drejtësi dhe për standarde, për ato standarde që Brukseli i kërkon, si kusht jo pak të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë.

