24.5 C
Tirana
Friday, September 4, 2026

Ekzekutohet me breshëri plumbash në automjetin e tij, Viktor Bardhi, vijon saga e vrasjeve në Mirditë (Dosja e plotë si lindi konflikti që ka shkaktuar disa viktima)

Makina që shihni në foton e mësipërme është automjeti ku u gjet i pajetë, mëngjsesin e sotëm, 65-vjeçari Viktor Bardhi. Sikurse mund të shihet dhe nga pamjet xhami i mjetit është dëmtuar rëndë nga breshëria e plumbave.

Bardhi u gjet i pajetë rreth orës 09:00 në fshatin Ndërfushas, brenda automjetit të tij. Policia dyshon se 65-vjeçari është vrarë me armë zjarri. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje historikun e përplasjeve të përgjakshme në Mirditë. Viktor Bardhi ishte vëllai i Martin Bardhit, i cili u ekzekutua në një atentat në Rrëshen në shtator të vitit 2023. Pistë hetimi është edhe hakmarrja mes fiseve Bardhi-Reçi.

Ndërkohë, një automjet që dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit është gjetur i djegur, çka po hetohet si pjesë e dinamikës së ngjarjes dhe përpjekjeve për të zhdukur gjurmët.

Grupi hetimor ndodhet në terren dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon mbledhjen e provave dhe veprimet hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Saga e vrasjeve në Mirditë, ekzekutohet Viktor Bardhi

Vrasja e sotme rikthen në vëmendje historikun e përplasjeve të përgjakshme që kanë tronditur prej vitesh Mirditën, mes fiseve Bardhi-Reçi ndërsa hetuesit pritet të verifikojnë edhe nëse ekziston ndonjë lidhje mes ngjarjes së sotme dhe atentatit ndaj Martin Bardhit apo sagës së hakmarrjes ndër vite.

Si u vra Martin Bardhi në 2023

Martin Bardhi, i njohur edhe si Marjan Marku, u ekzekutua mëngjesin e 26 shtatorit 2023 në Rrëshen. Ai sapo ishte liruar nga qelia, ku kishte qëndruar prej disa muajsh pas një tentative të dështuar sulmi me armë në qytet. Pak kohë pas lirimit, Bardhi u ul në lokalin e tij, pranë Komisariatit të Policisë Mirditë. Por qëndrimi në ambientin që e konsideronte të sigurt rezultoi fatal për të. Një automjet tip “Jeep Grand Cherokee”, që dyshohet se u përdor nga autorët, u pa disa herë pranë lokalit të viktimës përpara atentatit. Sipas të dhënave të dosjes hetimore, mjeti kaloi pranë zonës në oraret 09:36, 10:18, 10:24 dhe 10:39, ndërsa në momentin e fundit u krye sulmi.

Autorët hapën zjarr në drejtim të tavolinës ku ndodhej Martin Bardhi, duke e lënë atë të vdekur në vend. Nga breshëria e plumbave mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë që ndodheshin me të. Në vendngjarje u gjetën dhjetëra gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, ndërsa hetuesit konstatuan edhe dëmtime të shumta të shkaktuara nga predhat e armës së zjarrit.

Pas atentatit, autorët u larguan me automjetin e përdorur në krim. Pak kilometra larg Rrëshenit, në fshatin Gëziq, automjeti u gjet i djegur plotësisht, në përpjekje për të zhdukur gjurmët. Hetimi zbuloi se “Jeep”-i mbante targa të huaja, të cilat rezultuan të vjedhura. Brenda automjetit u gjetën gjithashtu gjurmë dhe materiale që u morën si prova materiale nga grupi hetimor.

Vrasja e Martin Bardhit u hetua në kontekstin e përplasjeve dhe konflikteve të hershme mes disa familjeve në zonën e Mirditës. Përplasjet ndër vite kanë prodhuar një seri ngjarjesh të rënda kriminale, duke ngritur edhe dyshime për hakmarrje dhe larje hesapesh. Tashmë, pas vrasjes së Viktor Bardhit, hetuesit do të duhet të zbardhin nëse ngjarja e sotme është një episod i ri i konfliktit të vjetër apo ka një tjetër motiv. Policia vijon veprimet në terren për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa pritet që në vijim të dalin më shumë detaje mbi rrethanat dhe motivin e vrasjes.

Saga e plotë të hakmarrjeve mes fisit Reçi dhe Bardhi në Mirditë:

1 Maj 1995- Vritet Ilir Reçi, kushëriri dhe shoku i ngushtë i Kastriot Reçit

Në vitin 1995 nisi një përplasje në distancë mes familjeve Reçi dhe Bardhi. Familja Bardhi, nga një fis i madh me emër, që ishin vendosur në Ndërfushas, në krahun e djathtë të lumit Fan, nisën një konflikt me Ilir Reçin. Iliri, që në atë kohë konsiderohej si një prej të fortëve të Rrëshenit, ishte kushëriri i Kastriot Reçit, por më shumë se kaq ishte shoku i tij i ngushtë. Përplasjen e fundit Iliri e pati me një nga djemtë e familjes Bardhi, konkretisht një nga 6 vëllezërit e Martin Bardhit që u vra para Policisë. Ilir Reçi, në një formë edhe fyese, i kërkon atij që asnjë nga fisi i tij që jetonte në Ndërfushas, të mos e kalonte lumin Fan dhe të futej në Rrëshen. Qyteti konsiderohej nga fisi Rreçi si territori i tyre. Ky urdhër i Ilir Reçit, i shkon në vesh Pjetër Bardhit, në atë kohë oficer ushtrie, që ishte me shërbim në Shkodër. Ai niset menjëherë drejt Rrëshenit dhe në qendër të qytetit ekzekuton me armën e shërbimit Ilir Reçin. Pjetër Bardhi u shpall në kërkim dhe u dënua në mungesë për këtë vrasje, por nuk u arrestua asnjëherë dhe nuk bëri asnjë ditë burg. Jetoi në arrati derisa dënimi u parashkrua dhe tashmë është i lirë. E megjithëse kishte ndodhur kjo ngjarje, mes dy familjeve u vendos një lloj paqeje e heshtur dhe nuk patën më asnjë konflikt deri mbrëmjen e 26 marsit 2023, kur djali i Martin Bardhit, u konfliktua për një parakalim me nipin e Kastriot Reçit.

26 Mars 2023- Qëllohet me armë makina e blinduar e Saimir Reçit

Mbrëmjen e 26 marsit, 41-vjeçari Sajmir Reçi, nipi i Kastriot Reçit, u qëllua me armë, por arriti t’u shpëtojë plumbave. Policia tha se shkak i konfliktit që u pasua me përdorimin e armëve ishte parakalimin me makinë në rrugën kryesore të qytetit. Sajmir Reçi dhe Enrik Bardhi kanë zbritur nga automjetet dhe janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin në mes të qytetit. Më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe së bashku me të atin, Martin Bardhi, kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte Sajmir Reçi. Autorët kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMë, çka e dëshmojnë dhe shenjat e plumbave, por mjeti i blinduar e shpëtoi të riun pa marrë plagë. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes shpalli në kërkim babë e bir, Enrik dhe Martin Bardhi, si dhe nipin e këtij të fundit, Kristian Bardhin, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kërkimet intensive bënë të mundur ndalimin e njërit prej të kërkuarve. U arrestua 59-vjeçari Martin Bardhi, e ndërsa djali i tij dhe nipi vijuan të ishin në kërkim për shumë kohë.

26 shtator 2023- Vritet Martin Bardhi

Martin Bardhi (Marku) u ekzekutua më 26 shtator, në lokalin e tij që ndodhet në hyrje të spitalit të Rrëshenit, 50 metra përballë komisariatit të qytetit. Ai ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit bashkë me tre të afërm të tij, Oltion Gjini, ish-drejtor në bashkinë e Mirditës, Ilir Bardhoku, pronar i një lokali aty dhe Indrit Bardhi të cilët mbeten të plagosur nga breshëria e kallashnikovit. Ngjarja ende nuk ka autor.

13 Janar 2025-Ekzekutohet Kristian Bardhi

Mbrëmjen e 13 janarit 2025, 30-vjeçari Kristian Marku, i njohur me emrin Kristian Bardhi, ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij “Volksëagen”, nga Fieri në drejtim të Vlorës. Atentatorët, që mendohet të kenë qenë 3 persona, kanë qenë duke e pritur tek mbikalimi i Novoselës dhe siç duket janë informuar nga bashkëpunëtorë të tjerë për lëvizjet e të riut nga Rrësheni. Sapo kanë parë mjetin e 30-vjeçarit që ka kaluar pranë tyre, ata i janë vënë pas dhe pasi i janë afruar paralel, në ecje e kanë qëlluar 13 herë, dyshohet me një armë automatike. Kristjan Bardhi u godit nga 3 plumba dhe më pas humbi kontrollin, duke sjellë përplasjen e makinës së tij me trafikndarësen.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat