Nën drejtimin e kryetarit, Fatmir Xhafaj, Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi disa seanca dëgjimore, në zbatim të Kalendarit Tematik për Ushtrimin e Kontrollit Parlamentar Postlegjislativ, në kuadër të Komponentit III, i cili lidhet me miratimin e akteve nënligjore dhe nivelin e zbatimit të ligjeve të miratuara gjatë periudhës 2021–2025, Komponenti III “Institucionet dhe Agjencitë e Pavarura”.
Fillimisht, Komisioni zhvilloi seancë dëgjimore me Artur Metani, Inspektor i Lartë i Drejtësisë, i cili informoi lidhur me përmbushjen e detyrimeve për hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore, si dhe nënvizoi se nuk ka pasur detyrime për hartimin e ndonjë akti nënligjor për zbatimin e Strategjinë Ndërsektoriale të Drejtësisë apo detyrim për tu përmbushur në kuadër të procesit të integrimit për përafrim me “acquis” të BE.
Metani u ndal në plotësimin e rekomandimeve të progres-raportit lidhur me plotësimin e vakancave për inspektor pranë zyrës së ILD, përmbushjen e rekomandimeve për rritjen e inspektimeve tematike, si dhe hartimin e një metodologjie të veçantë për plotësimin e rekomandimit për zbatimin e mëtejshëm të standardeve të vettingut në veprimtarinë e organeve të ILD.
Gjatë diskutimit me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, kryetari Xhafaj ngriti shqetësimin për pasojat që situata po sjell në zhvillimin e proceseve gjyqësore, duke e pyetur nëse ILD mund të ndërhyjë për të ndihmuar në tejkalimin e ngërçit.
“Sot kemi një ngërç të krijuar në GJKKO, Shkalla e Parë. Ka një mosmarrëveshje të hapur publike mes avokatëve dhe GJKKO-së. Ka një mundësi, përpjekje, ndërhyrje nga ana e Inspektorit për ta zgjidhur, se në finale ajo që e pëson është sistemi, dhënia e drejtësisë dhe qytetarët drejtpërdrejt”, tha Xhafaj.
“E ndjekim me shumë vëmendje dhe çdo ditë kemi diskutime për atë që ndodh. Për të qenë strikt ligjorë, me kompetencat që ILD-së, se e kemi parë në këtë këndvështrim, së pari do të degjeneronte apo do të shkonte drejt një shkeljeje të natyrës disiplinore. Së dyti, ajo që thatë është më shumë pjesë e një tryeze mes palëve që kanë këtë diskutim dhe kjo shkon përtej kompetencave që ka ILD, por edhe ka më tepër lidhje me karakteret njerëzore sesa me diskutimet ligjore që mund të bëhen midis palëve. Nuk kam një mendim sot, por e ndjekim me shumë vëmendje për aq sa na takon. Si institucion do të ishim të gatshëm të ndihmonim për aq sa mund të ndihmonim, por nuk është një gjë që varet vetëm nga dëshira e Inspektorit të ILD-së” tha Metani.
Seanca e dytë vijoi me Ilir Rusi, Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili bëri një përmbledhje të procesit të hartimit të akteve nënligjore gjatë periudhës 2021-2025, duke detajuar se në tre ligjet kryesore të reformës në drejtësi, janë identifikuar 85 dispozita që parashikojnë detyrime për nxjerrjen e akteve nga KLGJ-ja, nga të cilat janë përmbushur 59, ndërsa 26 të tjera mbeten për t’u miratuar. Rusi sqaroi se pjesa më e madhe e akteve lidhet me zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve, vlerësimin etiko-profesional, procedimet disiplinore, kompensimin financiar, administrimin e gjykatave, efiçencën e gjyqësorit, komunikimin me median e publikun. Ndër të tjera Rusi sqaroi se disa nga fushat ku ende nevojiten akte të reja përfshijnë formimin e vazhdueshëm të magjistratëve, papajtueshmërinë ambientale, shpërblimin e paaftësisë, uljen e ngarkesës, etj. Deputetja Romina Kuko në cilësinë e relatores evidentoi se KLGJ duhet të përmbushë detyrimet ligjore të mbartura prej vitesh, si dhe disa problematika të hasura në administrimin e gjykatave, vonesat në gjykime, mungesën e miratimit të rregullave për vlerësimin e punës së anëtarëve të KLGJ, mungesën e një procedure të unifikuar për transferimet, etj.
Mbledhja vijoi me dëgjesën me Mirela Bogdani, Kryetare e KLP, Vatë Staka dhe Erind Mërkuri, anëtarë të KLP-së. Fillimisht Bogdani informoi lidhur me procesin e hartimit të akteve nënligjore gjatë periudhës 2021-2025, duke detajuar që janë miratuar 25 rregullore dhe strategji, që lidhen kryesisht me vlerësimin, lëvizjen paralele, karrierën e prokurorëve, komunikimin me publikun, si dhe disa çështje që lidhen me bashkimin e procedimeve disiplinore, funksionimin e brendshëm të KLP-së, etj. Më tej Bogdani u ndal dhe në arsyet e mosmiratimit në kohë të një sërë aktesh dhe fazat në të cilat ndodhet miratimi i tyre. Deputeti Erjo Mile në cilësinë e relatorit evidentoi vonesat në përmbushjen e detyrimeve për miratimin e akteve nënligjore, moszbatimin në afat të rekomandimeve të Kuvendit, ritmin e ngadaltë të vlerësimit profesional të prokurorëve, etj.

