Zamira Voci
Ka momente kur një vendim politik flet më shumë se një fjalim i gjatë. Vendimi i Edi Ramës për të mos e zhvilluar të gjithë Asamblenë e Partisë Socialiste në transmetim të drejtpërdrejtë ishte një prej tyre. Në dukje, një zgjedhje e zakonshme e një kryetari që kërkon të flasë me partinë e tij larg syve të publikut. Në thelb, një vendim që ngre pikëpyetje mbi atë se çfarë mund të thuhet brenda një partie që prej vitesh identifikohet politikisht me një qendër të vetme vendimmarrjeje.
Rama e quajti PS-në familjen e tij politike. Por familja politike nuk është një rreth ku kryetari flet dhe të tjerët dëgjojnë. Është një hapësirë ku duhet të ketë edhe kundërshtim, edhe llogaridhënie, edhe të vërteta të pakëndshme. Përndryshe, çfarë vlere ka një mbledhje e mbyllur, nëse diskutimi është i lirë vetëm për aq kohë sa nuk prek kryetarin? Ndoshta arsyeja e vërtetë e këtij vendimi nuk duhet kërkuar te kamerat, por te njerëzit dhe çështjet që rëndonin mbi Asamblenë.
Erion Veliaj, edhe pse fizikisht mungonte, ishte politikisht i pranishëm. Letra e tij drejtuar strukturave të partisë, me mesazhin se Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj, ishte një provokim i drejtpërdrejtë për standardet e demokracisë së brendshme në PS. Dhe këtu duhet bërë një dallim thelbësor. Erion Veliaj ndodhet aty ku ndodhet, përballë akuzave për të cilat duhet të përgjigjet para drejtësisë. Kjo është një çështje më vete, që nuk mund të anashkalohet dhe as të relativizohet. Por kjo nuk do të thotë se çdo çështje që ai ngre në letrën e tij duhet të refuzohet, të shpërfillet apo të identifikohet automatikisht me fatin e tij personal.
Jo të gjitha pyetjet që ngre Veliaj lidhen me akuzat ndaj tij. Disa prej tyre prekin vetë mënyrën se si funksionon partia, raportin e saj me kryetarin, demokracinë e brendshme dhe të drejtën e anëtarëve për të shprehur mendime të ndryshme. Këto janë çështje që i përkasin Partisë Socialiste si institucion politik, pavarësisht se kush i artikulon. Madje, pikërisht sepse vijnë nga një figurë që sot ndodhet në një pozicion kaq të vështirë, ato duhej të ishin trajtuar me më shumë seriozitet, jo të refuzoheshin për shkak të autorit.
Në fund të fundit, një ide nuk bëhet e pavlefshme vetëm sepse e shpreh një njeri që përballet me akuza. Përgjegjësia individuale dhe e drejta për të ngritur çështje politike janë dy gjëra të ndryshme. T’i ngatërrosh ato do të thotë të shmangësh thelbin e debatit.
Dhe në këtë klimë, Elisa Spiropali përfaqëson një tjetër problem për Ramën, zërin që nuk përshtatet domosdoshmërisht me harmoninë e kërkuar. Kur një figurë e rëndësishme e partisë shpreh rezerva për drejtimin e saj, reagimi ndaj saj bëhet tregues i kulturës së brendshme politike. Nëse kritika interpretohet si mungesë besnikërie dhe përgjigjja ndaj saj është përjashtimi, atëherë debati i brendshëm zëvendësohet nga bindja.
E njëjta logjikë vlen edhe për qëndrimet e “Ditëziut”. Pavarësisht se kush i artikulon, kritikat, rezervat dhe pyetjet që prekin funksionimin e partisë duhet të kenë vend në tryezën politike. Një parti nuk bëhet më e fortë duke heshtur zërat që e kundërshtojnë, por duke u dhënë mundësinë të shprehen dhe duke u përballur me argumentet e tyre.
Një kryetar nuk ka pse të pajtohet me çdo qëndrim të bashkëpunëtorëve të tij. Por duhet të jetë në gjendje t’i dëgjojë pa e kthyer kundërshtimin në një çështje disiplinore. Përndryshe, partia rrezikon të prodhojë një paradoks: të ketë shumë anëtarë, por gjithnjë e më pak zëra të pavarur.
Pastaj është çështja Belinda Balluku, ndoshta një nga provat më të vështira për raportin e mazhorancës me drejtësinë. Këtu nuk mjaftojnë deklaratat se askush nuk është mbi ligjin dhe se drejtësia duhet të bëjë punën e saj. Pyetja është më konkrete wshtw nwse ka qenë qëndrimi politik i shumicës plotësisht i shkëputur nga interesi për të mbrojtur një prej figurave të saj më të rëndësishme?
Mbrojtja politike e një bashkëpunëtori nuk është automatikisht ndërhyrje në drejtësi. Por kur në diskutim janë hetimet, imuniteti dhe kërkesat e organeve të drejtësisë, mazhoranca ka detyrimin të japë shpjegime të qarta dhe të mbajë të njëjtin standard për të gjithë. Sepse nuk mund të kërkosh besim te drejtësia vetëm kur vendimet e saj nuk prekin njerëzit e tu.
Në këtë pikë, kontrasti me rastin Veliaj bëhet edhe më domethënës. Si shpjegohet që për një figurë politike kërkohet solidaritet dhe mbrojtje e fortë politike, ndërsa për një tjetër hapësira e debatit brenda partisë duket kaq e kufizuar? A kemi të bëjmë me standarde të ndryshme, me raporte të ndryshme pushteti, apo me një llogaritje politike që nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me parimet?
Këto janë pyetje që nuk marrin përgjigje përmes duartrokitjeve dhe as përmes deklaratave të gatshme. Në fund, Asambleja ekspozoi një problem që është më i madh se raporti personal mes Ramës dhe disa prej figurave të tij. Është problemi i marrëdhënies së kryetarit me partinë. Një parti që qeveris vendin nuk mund të jetë vetëm instrument i pushtetit të kryetarit. Ajo duhet të ketë institucione funksionale, debat, përgjegjësi dhe aftësi për të prodhuar qëndrime që nuk varen vetëm nga vullneti i një individi.
Nëse çështjet e ngritura nga Veliaj, Spiropali apo zëra të tjerë brenda PS-së do të ishin diskutuar lirisht, Asambleja mund të kishte qenë një mundësi për t’i dhënë partisë frymëmarrjen që i mungon. Jo domosdoshmërisht për të prodhuar pajtim, por për të krijuar hapësirën ku mospajtimi të mos konsiderohet kërcënim. Përkundrazi, nga ato pak pamje që u lejuan të transmetoheshin, ajo që u perceptua nuk ishte një parti që merr frymë lirisht, por një strukturë ku liria e debatit dukej e kufizuar dhe ku vullneti për të kundërshtuar përplasej me autoritetin e kryetarit.
Rama mund të ketë arsye politike për të kërkuar një diskutim pa kamera. Por nuk mund ta barazojë privatësinë e debatit me mungesën e llogaridhënies. Për më tepër, kur bëhet fjalë për një parti në pushtet, kufiri mes çështjeve të brendshme partiake dhe interesit publik është shumë më i hollë nga sa mund të duket.
Sepse Veliaj, Spiropali dhe “ditwziu” nuk janë thjesht emra në një debat të brendshëm. Ata përfaqësojnë çështje që prekin vetë funksionimin e partisë, sfidën ndaj autoritetit të kryetarit, të drejtën për të kundërshtuar, standardet e demokracisë së brendshme dhe raportin e politikës me drejtësinë.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kamerat nuk ishin çështja kryesore e Asamblesë. Ato thjesht do të kishin mundësinë të regjistronin një të vërtetë që politika shpesh përpiqet ta mbajë brenda mureve të saj.
Por do të ishte naivitet dhe dritëshkurtësi të mendohej se, duke kontrolluar dhe kufizuar mundësitë e kontaktit me thelbin e problemit dhe me të vërtetën, do të bëhej që edhe partia të mendonte me zërin e kryetarit. Dhe, për më tepër, e me rëndësi më të madhe, kjo nuk do të arrinte të pengonte publikun të kërkonte llogari për atë që po ndodh, edhe pse me dyer të mbyllura.

