15.5 C
Tirana
Thursday, October 1, 2026

Vlora ç’pa tek Rama e zbatoi në SHISH…!

Zamira Voci

Në përpjekje për ta mbrojtur Vlora Hysenin, Rama duket se zgjodhi ta “shiste” shpejt, siç e shkarkoi, u distancua dhe ia dorëzoi përgjegjësinë drejtësisë, duke dhënë përshtypjen e një kryeministri që nuk ka asnjë pengesë për të prerë një hallkë, kur ajo nis t’i kushtojë politikisht dhe ndërkombëtarisht. Por paradoksi është se kjo “sakrificë” mund të jetë edhe një mënyrë e frikshme për të mbrojtur veten. Duke e lënë Hysenin vetëm përballë hetimit, Rama përpiqet të vendosë një vijë ndarëse mes vetes dhe një dosjeje që tashmë ka prodhuar vëmendje të madhe publike e ndërkombëtare. Me Belinda Ballukun, skenari ka qenë tjetër. Aty Rama nuk ka bërë të njëjtin llogari distancimi, përkundrazi, mbrojtja e saj ka qenë publike dhe e argumentuar si mbrojtje e kompetencave të pushtetit ekzekutiv përballë SPAK-ut. Dy gra të rëndësishme të sistemit të tij, pra, dy trajtime të ndryshme, njërën e la të përballej me drejtësinë, tjetrën e mbrojti si pjesë të një beteje më të gjerë mbi pushtetin. Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e fortë politike çfarë e përcakton kufirin mes momentit kur Rama “lëshon” një njeri dhe momentit kur vendos të luftojë për të?

Por e parë në një këndvështrim krejt tjetër, ka diçka shumë më të madhe se vetë çështja Vlora Hyseni në reagimin e Edi Ramës. Dhe kjo është mënyra se si kryeministri po mbron veten, sikur personi nën hetim të ishte ai dhe jo ish-drejtoresha e SHISH-it. Në vend që debati të mbetet te përgjegjësia individuale e Hysenit dhe te ajo që do të provohet ose jo nga SPAK-u, Rama po merr mbi vete barrën politike të gjithë historisë. Dhe këtu qëndron paradoksi. Kur një kryeministër pranon “gabime”, pyetja nuk është vetëm cilat janë gabimet, por nëse kemi të bëjmë ende me gabime individuale apo me një mënyrë qeverisjeje që është ngritur dhe funksionon prej vitesh. Sepse dosja e Agasit, nëse hetimi do të provojë lidhjet e dyshuara, nuk mund të reduktohet thjesht në historinë e një biznesmeni, një zyrtareje të sigurisë dhe disa komunikimeve komprometuese. Ajo po prek, sipas materialeve të bëra publike, hallka që shkojnë nga biznesi te administrata, policia dhe shërbimi informativ. Dhe pikërisht këtu lind teza më e fortë politike, nëse ka thjesht individë që kanë dalë nga shinat, apo një sistem ku pushteti formal i qeverisë është ndërthurur me rrjete informale influence dhe interesi? Kjo e fundit është ende një tezë që duhet provuar nga hetimi, jo një fakt i mbyllur. Por nëse Rama sot pranon “gabime” sikur po mbron vetë institucionin e tij personal, ndërsa paralelisht ka zgjedhur të mbajë një qëndrim shumë më mbrojtës ndaj Belinda Ballukut, kontrasti bëhet politikisht i pamohueshëm, sepse përballë Hysenit distancohet, përballë Ballukut reziston. Dhe kjo e bën pyetjen edhe më të madhe se cilët njerëz janë të zëvendësueshëm për Ramën dhe cilat hallka të pushtetit janë aq të rëndësishme, sa kryeministri është gati të hyjë vetë në vijën e zjarrit për t’i mbrojtur?

Me çfarë kemi parë deri tani është kthyer në sistem qeverisja me bandat. Ata që nuk janë të tillë numërohen me gishtat e njërës dorë dhe Rama ata që ka jashtë sistemit krim-ekzekutiv akuzon më shumë, sepse për Ramën zbatimi i ligjit nga titullarët e institucioneve dhe të mos jesh i korruptuar je absolutisht shumë më pak i preferuar…!

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat