Zamira Voci
Ka një kufi që në një demokraci serioze nuk duhet kaluar kurrë dhe është kufiri mes kontrollit dhe komandimit. Dhe pikërisht te ky kufi po shfaqet gjithnjë e më shpesh Fatmir Xhafaj. Kryetari i Komisionit parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale duket se ka zbuluar një pasion të ri parlamentar, t’i mbajë institucionet e pavarura gjithmonë në gatishmëri raportimi. Jo thjesht një herë në vit, jo vetëm përmes mekanizmave të përcaktuar nga ligji dhe Rregullorja e Kuvendit, por me një ambicie kontrolli që rrezikon ta bëjë parlamentin të duket sikur është kthyer në një administratë mbikëqyrëse të institucioneve që, pikërisht sepse janë të pavarura, nuk mund të trajtohen si drejtori në varësi të një komisioni parlamentar.
Kuvendi ka të drejtë të kontrollojë. Madje duhet të kontrollojë. Institucionet publike duhet të japin llogari dhe demokracia parlamentare nuk funksionon pa mbikëqyrje. Por këtu nis problemi. Kontrolli parlamentar nuk do të thotë komandë parlamentare. Një institucion i pavarur nuk është një drejtori që pret telefonatën e kryetarit të komisionit për t’i treguar çfarë ka bërë këtë javë, çfarë do të bëjë javën tjetër dhe cilët janë treguesit e performancës që duhet të përmbushë sipas një skeme të ndërtuar në Kuvend. Në qershor, vetë Xhafaj deklaroi se në Kuvend po hartoheshin tregues kyç performance për të gjitha institucionet e pavarura dhe se mbi këta tregues do të ndërtohej një raportim i bazuar në rezultate të matshme e të monitorueshme nga Kuvendi.
Kjo është pikërisht ajo pikë ku duhet ndezur drita e kuqe. Sepse një gjë është që Kuvendi të kërkojë llogari për zbatimin e ligjit dhe rezolutave të tij. Një gjë tjetër është që një komision parlamentar të ndërtojë një sistem kaq të gjerë monitorimi sa institucionet e pavarura të fillojnë të ndiejnë se kanë mbi kokë një autoritet politik që i kërkon llogari për çdo hap. Dhe kur kjo shtrihet edhe te institucionet e drejtësisë, çështja bëhet edhe më delikate.
SPAK-u, KLGJ-ja, KLP-ja, ILD-ja dhe institucionet e tjera të krijuara pikërisht për të garantuar pavarësinë e pushteteve nuk mund të trajtohen si zyra të një administrate që i përgjigjet një kryetari komisioni. Përpjekjet e raportuara në shkurt për monitorimin parlamentar të SPAK-ut, KLGJ-së dhe KLP-së e kanë bërë këtë debat real, jo teorik. Dhe këtu Fatmir Xhafaj duhet të ndalojë një çast dhe të bëjë një pyetje shumë të thjeshtë:Ku mbaron e drejta e Kuvendit për të kontrolluar dhe ku fillon pavarësia e institucionit që po kontrollohet?
Sepse nëse përgjigjja është “askund”, atëherë nuk kemi më kontroll parlamentar. Kemi centralizim të kontrollit. Dhe kjo është shumë më tepër se një debat për kompetencat e një komisioni. Është debat për mënyrën se si konceptohet shteti. Një parlament i fortë nuk është ai që i thërret të gjithë përpara vetes. Një parlament i fortë është ai që e di saktësisht kë duhet të kontrollojë, si duhet ta kontrollojë dhe deri ku mund të shkojë pa cenuar pavarësinë e tjetrit.
Përndryshe, nën flamurin e llogaridhënies mund të ndërtohet diçka krejt tjetër, një piramidë e re kontrolli, ku në majë qëndron një komision dhe poshtë tij rreshtohen institucionet e pavarura. Kjo nuk është ajo që qytetari pret nga Kuvendi. Qytetari nuk ka nevojë për një Kuvend që të sillet si administratë mbi administratat. Ka nevojë për një Kuvend që kontrollon pushtetin, mbron institucionet dhe garanton që askush të mos jetë mbi ligjin.
Edhe vetë praktika parlamentare e viteve të fundit tregon se Kuvendi ka mekanizma të rregullt për raportimin dhe vlerësimin e institucioneve të pavarura, përfshirë raportimet vjetore dhe rezolutat parlamentare. Prandaj pyetja që duhet t’i bëhet Xhafajt nuk është nëse Kuvendi duhet të kontrollojë. Për këtë nuk ka debat.
Pyetja është tjetër: Pse duhet që kontrolli të zgjerohet kaq shumë sa të krijojë përshtypjen se çdo institucion i pavarur duhet të kalojë periodikisht në filtrin e një komisioni parlamentar?
Sepse ka një moment kur mbikëqyrja pushon së qeni garanci demokratike dhe fillon të ngjajë me etje për pushtet. Dhe ky moment duhet dalluar përpara se të bëhet normalitet. Fatmir Xhafaj ka pasur një rol të rëndësishëm në historinë e reformës në drejtësi. Pikërisht për këtë arsye, prej tij duhet pritur më shumë se nga kushdo tjetër respekt për kufijtë institucionalë që ajo reformë synoi të ndërtonte. Reforma në drejtësi nuk u bë që një pushtet të zëvendësonte një tjetër. U bë që pushtetet të kontrollonin njëri-tjetrin pa u bërë njëri-tjetrit. Kjo është vija, që nuk duhet kaluar nga Kuve

