Zamira Voci
Ka institucione që ndryshojnë bashkë me kohën dhe ka të tjerë që, për një arsye apo një tjetër, duket sikur kanë mbetur në një pikë të saj. Vitet kalojnë, brezat ndërrohen, shoqëria transformohet, por kur kthen sytë nga dera e institucionit, gjen përsëri të njëjtën figurë.
Kështu ndodh prej vitesh me Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Maks Haxhia është në krye të saj që prej vitit 2000 dhe pas më shumë se një çerek shekulli, vazhdon të jetë sërish aty. Procesi zgjedhor e ka konfirmuar edhe një herë në këtë detyrë, ndaj nuk është këtu çështja për të vënë në diskutim një procedurë apo për të mohuar rezultatin e saj. Çështja është ajo që ndodh përtej procedures, çfarë i bën një kohw kaq e gjatë një institucioni?
Sepse 26 vite nuk janë pak. Janë aq shumë sa një fëmijë që e ka parë për herë të parë emrin e kryetarit të Dhomës kur ka qenë në klasat e para, sot mund të jetë vetë prind. Një vajzë apo djalë që atëherë nuk kishte menduar ende për profesionin që do të zgjidhte, sot mund të jetë avokat dhe të ketë një brez tjetër fëmijësh pas vetes. Në këtë hark kohor janë diplomuar breza të tërë juristësh, janë krijuar familje, kanë lindur fëmijë dhe kanë ndryshuar drejtues të panumërt institucionesh të tjera.
Vetëm në këtë institucion, panorama mbetet pothuajse e njëjtë. Dhe kjo të shtyn të mendosh se çfarë do të thotë realisht alternimi në një institucion profesional. Sepse drejtimi i një institucioni nuk është vetëm çështje aftësie individuale. Është edhe çështje qarkullimi, energjie të re, idesh të reja dhe mbi të gjitha, mundësie që brezat që vijnë pas të mos jenë thjesht spektatorë të një historie të shkruar para se ata të hynin në profesion.
Një institucion nuk duhet të plaket bashkë me drejtuesin e tij. Kjo nuk do të thotë se një drejtues i gjatë në detyrë nuk mund të ketë merita. Përkundrazi, eksperienca e akumuluar në vite mund të jetë një pasuri. Por pikërisht një eksperiencë e tillë duhet të prodhojë diçka edhe më të rëndësishme: një institucion që nuk varet nga një emër, një strukturë që mund të ecë përpara edhe kur ai emër largohet dhe një brez pasardhësish që nuk duhet të presë pafundësisht radhën.
Sepse këtu qëndron paradoksi i çdo pushteti të gjatë. Në fillim ai sjell stabilitet. Më pas sjell eksperiencë. Me kalimin e kohës fillon të krijojë një lloj familjariteti. Dhe nëse vazhdon edhe më gjatë, rrezikon të kthehet në diçka tjetër: në bindjen se nuk ka më nevojë për ndryshim.
Është pikërisht në këtë pikë që lind fjala e rëndë, por e pashmangshme: uzurpimi institucional. Jo domosdoshmërisht uzurpim në kuptimin e një akti të paligjshëm. Por një uzurpim që mund të ndodhë ngadalë, përmes kohës, përmes zakonit, përmes mungesës së alternativës së dukshme dhe përmes identifikimit gradual të institucionit me njeriun që e drejton.
Kur një kryetar qëndron në detyrë për dekada, rreziku nuk është vetëm që ai të ketë shumë pushtet. Rreziku është që institucioni të fillojë të perceptohet si i pandashëm prej tij. Dhe kjo është shumë më problematike, sepse institucionet duhet të jenë më jetëgjata se njerëzit që i drejtojnë. Sidomos kur bëhet fjalë për avokatinë.
Avokatët janë profesionistët që, në parim, duhet të jenë ndër zërat më kritikë të sistemit. Janë ata që përballen me shtetin, me gjykatat, me administratën dhe me pushtetin në çdo formë të tij. Për këtë arsye, institucioni i tyre përfaqësues duhet të jetë ndër të parët që tregon se pushteti nuk është pronë, se drejtimi nuk është trashëgimi dhe se asnjë emër nuk mund të bëhet më i madh se institucioni që përfaqëson.
Dhe këtu rikthehemi te brezat. Ata fëmijë që e kanë parë Haxhinë në krye të Dhomës në fillim të viteve 2000, sot janë bërë burra e gra. Disa janë bërë avokatë. Disa kanë fëmijë. Fëmijët e tyre do të rriten në një realitet krejt tjetër nga ai i fillimit të mijëvjeçarit. Por kur të pyesin se kush është në krye të institucionit të avokatëve, përgjigjja mund të jetë ende e njëjtë.
Dhe kjo, përtej çdo individi, është një tablo që duhet të shqetësojë. Sepse një institucion serioz duhet të ketë një ditë edhe pas njeriut që e ka drejtuar për vite. Duhet të ketë njerëz të rinj që mund të marrin përgjegjësinë, ide të reja që mund të sfidojnë të vjetrat dhe një kulturë ku largimi nga drejtimi nuk shihet si humbje, por si pjesë normale e jetës institucionale.
Ndoshta ky është momenti kur duhet thënë “mjaft”. Jo si një britmë kundër një personi. Jo si mohim i historisë së tij në këtë institucion. Por si një thirrje për vetë institucionin që të mos lejojë që historia e tij të bëhet një histori vetëm me një emër.
Sepse ka një dallim të madh mes të qenit drejtuesi më jetëgjatë i një institucioni dhe të qenit drejtuesi që di të krijojë kushtet që institucioni të mos ketë më nevojë për të. Në fund, trashëgimia e një kryetari nuk matet vetëm me vitet që ka qëndruar në zyrë. Matet edhe me ditën kur largohet dhe me atë që lë pas. Nëse pas 26 vitesh institucioni është ende i lidhur me të njëjtin emër, ndoshta pyetja nuk duhet të jetë më se sa vite të tjera mund të vazhdojë kjo histori.
Pyetja është nëse nuk ka ardhur koha që historia të shkruhet nga një brez tjetër. Sepse edhe institucionet kanë nevojë të marrin frymë. Dhe ndonjëherë, për t’i dhënë frymë një institucioni, duhet thjesht t’i hapësh derën ndryshimit.

