20.9 C
Tirana
Monday, September 28, 2026

“Beteja sapo ka filluar”! Magjistratët refuzojnë tryezën e Ramës për pagat deri në marrjen e vendimit nga Kushtetuesja, qeveria anulon takimin

Një pjesë e magjistratëve dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të Drejtësisë refuzuan ftesën e kryeministrit Rama për të diskutuar gjatë ditës së sotme, një mekanizëm të ri për sistemin e pagave. Fakti që çështja është në Gjykatën Kushtetuese, e bënte sipas tyre të pavend cdo diskutim. Megjithatë qeveria duket të jetë e vendosur të mos tërhiqet, dhe njofton se do të ecë përpara për hartimin e një ligji të ri.

Të premten e kaluar kryeministria u detyrua t’i nisë një tjetër email drejtuesve të institucioneve të Drejtësisë dhe shoqatave të magjistratëve për t’u kujtuar se duhet të konfirmonin pjesëmarrjen. Vetëm KLGJ, kishte thënë “Po” deri atë moment. Të tjerët, pas përplasjes së fortë me ekzekutivin, kishin preferuar heshtjen. Në ndërkohë, që prej 21 shtatorit, çështja e debatuar e pagave kishte përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, pasi shumica zgjodhi të kalonte formulën e propozuar prej saj, por të kundërshtuar dhe publikisht nga magjistratët.

Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka refuzuar ftesën e kryeministrit Rama për të marrë pjesë në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026, me objekt përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë dhe përmirësimin e statusit të magjistratëve.

Bordit Drejtues ndonëse e vlerëson dialogun institucional si mjet për gjetjen e zgjidhjeve kushtetuese, thekson se pjesëmarrja në këtë konsultim është e pamundur në kushtet kur çështja e pagave është ende në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026”, thuhet në përgjigjen e Unionit.

Megjithatë, Unioni sqaron se mungesa në takim nuk duhet të interpretohet si një mbyllje e dialogut institucional me qeverinë. Përkundrazi, gjyqtarët shprehen se mbeten të hapur për komunikim dhe dialog në një moment të përshtatshëm, pasi Gjykata Kushtetuese të ketë dhënë vendimin e saj.

Në shkresë thuhet gjithashtu se Unioni dhe anëtarët e tij janë të gatshëm të kontribuojnë, brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në çdo proces institucional që synon një zgjidhje të qëndrueshme dhe në përputhje me parimet kushtetuese të një shteti demokratik.

Më herët kjo festë u refuzua edhe nga Gjykata e Lartë, me të njëjtin argument, se çështja tashmë është në Gjykatën Kushtetuese dhe pritet nga vendim nga ai institucion.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat