25.5 C
Tirana
Friday, August 28, 2026

KLGJ merr kompetencat e Kuvendit, duke i rritur vetes dhe gjyqtarëve pagat. Me këtë logjikë deputetet me vendim të parlamentit mund të gjykojnë çështjet në Apel, meqë janë tejkaluar afatet e vendosura nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ në një rast të pa precedentë vendosi t’i rrëmbejë këtë të mërkurë kompetencat e Kuvendit me qëllim për të zgjidhur ngërçin e pagave të gjyqtarëve, pasi legjislativi nuk miratoi një ligj brenda 31 korrikut për të zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Nga 1 gushti, paga referuese do të jetë 222 mijë e 425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më herët, plus shtesa e nivelit të kualifikimit 14.000 lekë. Po ashtu, u miratua edhe propozimi për kompesimin e rritjes së munguar nga data 1 prill 2023 deri më 31 korrik të këtij viti.

Pavarësisht se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15 të shkurtit të këtij viti, lidhur me statusin e pagave të magjistratëve, duhet të ishte zbatuar nga Kuvendi sepse është detyrues, KLGJ ka vendosur një precedent të rrezikshëm, duke i marrë kompetenën sovranit që ushtrohet nga Kuvendi.

Vendimi i KLGJ i bazuar në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese sjell rritje të ndjeshme të pagave të magjistratëve si dhe kompesimin për atë që u cilësua si “ulje e fshehtë”, e shkaktuar me ndryshimin ligjor të kryer përmes ligjit nr.33 të vitit 2023, “Për një ndryshim në ligjin nr.96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në republikën e Shqipërisë”.

Komisioni i Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit disponoi aktet nga departamenti i buxhetit dhe ai juridik lidhur me progrmain e buxhetit, si dhe pasi shqyrtoi dhe analizoi arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, propozoi miratimin e pagës referuar VKM-së nr.325 të vitit 2023, ku u bazua tre vjet më parë rritja e ndjeshme e pagës së administratës.

Sipas kësaj formule, nga komisioni u propozua që prej datës 1 gusht 2026 e në vijim, paga bazë referuese e gjyqtarit të jetë 222 mijë lekë, plus dhe 14 mijë lekë për shtesën e kualifikimit, në total rreth 236 mijë lekë – propozim që u miratua nga të nëntë anëtarët e pranishëm. Po ashtu, u miratua edhe propozimi për kompesimin e rritjes së munguar nga data 1 prill 2023 deri më 31 korrik të këtij viti.

Për ironi të fatit një nga anëtarët e KLGJ i zgjedhur nga Kuvendi, e konsideroi organin që e ka sjell aty shkelës së ligjit. “Sipas optikës time jemi në rregull me zbatimin e ligjit sepse nga analiza e mësipërme, formula është origjinë ligjore, Gjykata Kushtetuese nuk ka krijuar formulë të re vetëm ka interpretuar përmbajtjen e formulës ekzistuese… Vendimet e GJK, janë detyruese për të gjitha autoritetet publike përfshirë edhe KLGJ. Gjykata Kushtetuese ka vendosur, dhe nuk ka vepruar kuvendi. Mosveprimi i Kuvendit përbën një mekanizëm antikushtetuetshmërie”, tha  gjatë mbledhjes Albens Tabaku, anëtar i KLGJ i zgjedhur nga Kuvendi i republikës së Shqipërisë.

Ndërhyrja e KLGJ-së vjen pas paralajmërimeve të shoqatave të magjistratëve se mosveprimi i Kuvendit nuk mund të pengonte zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Tre shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve argumentuan në fillim të gushtit se, pas skadimit të afatit të vendosur nga Kushtetuesja, pagat duhet të përllogariten duke iu referuar formulës së lidhur me pagën e funksionarit të administratës së lartë publike.

Sipas tyre, nga 1 gushti 2026 përllogaritja e pagave duhet të bëhet mbi këtë bazë, ndërsa e njëjta formulë duhet të përdoret edhe për detyrimet e prapambetura për periudhën 1 prill 2023–31 korrik 2026 gjë e cila u pranua edhe nga KLGJ.

Në propozimin e dorëzuar në Kuvend dy deputetët e PS-së, Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli, që ruante si pikë referimi pagën e Presidentit të Republikës, me rritjen e koeficientit nga 0.36 në 0.38, thuhet në relacion se ky propozim krijonte një ekuilibër mes garancive financiare për pavarësinë e magjistratëve dhe qëndrueshmërisë së sistemit të pagave publike.

Rritja me 65.600 lekë e pagës referuese duke i shtuar edhe 14 mijë lekëshin e grupit të diplomës realisht do t’i rrisë ndjeshëm pagat e magjistratëve, që shkojnë deri në mbi 3000 euro më shumë për institucionet e larta të sistemit apo edhe strukturat e posaçme, për shkak të formulave të përcaktuara në ligj. Sa i përket prokurorëve një vendim i ngjashëm duhet të koordinohet dhe merret nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, apo sipas rastit nga Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK.

Përplasja gjyqësor-qeveri për pagat

Çështja e pagave të magjistratëve, është shoqëruar me një përplasje të gjatë gjyqësore mes tyre dhe qeverisë. Në vitin 2023, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mazhoranca, përcaktoi se rroga bazë e magjistratëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit, pra 153.000 lekë.

Më herët referenca mbi të cilën llogaritej rroga ishte 132,100 lekë, aq sa ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri. Me ndryshimin e ligjit nga qeveria rritja ishte me mbi 20 mijë lekë të reja.

Por kjo rritje u konsiderua si ulje nga ana e gjyqtarëve. Kjo për shkak se në të njëjtën kohë, qeveria rriti pagat për administratën publike. Dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri shkoi në 231 mijë lekë të reja.

Sipas gjyqtarëve, ndryshimi i referencës së pagës së tyre nga ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri te ajo sa 36% e pagës së Presidentit, ua uli pagën, pasi nëse s’do bëhej ky ndryshim ajo do të ishte 78 mijë më e lartë.

Gjykata bëri të ditur se në vlerësimin e kërkesës së Unionit të gjyqtarëve ajo kishte mbajtur parasysh përcaktimin e nenit 138 të Kushtetutës sipas të cilit “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen”.

Dhe sipas saj “ndonëse rezultati në vlerë financiare absolute i pagës së gjyqtarit, i prodhuar nga formula e re e aplikuar nga qeveria në 2023, nuk është më i ulët se sa ai i prodhuar nga formula e mëparshme, në raport me rritjen ekonomike si dhe rritjen e çmimeve, ka passjellë një ulje të fshehur të shënjestruar të pagës së magjistratit, duke e ngrirë atë”.

Projektligji i dy deputetëve socialist, parashikon ndërkohë një rritje të pagës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, përmes rishikimit të shtesave të parashikuara për vjetërsi apo vështirësi në punë, e cila përkthehet automatikisht shoqërohet me të njejtat efekte dhe mbi pagata e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Një shtesë në pagë në masën 5 përqind, për funksionin, është propozuar dhe për Prokurorin e Përgjithshëm.

Por pavarësisht propozimit të dy deputetëve, ajo që do të thotë fjalën e fundit duket se do të jetë qeveria, duke qenë se bëhet fjalë për një ndërhyrje me efekte financiare.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat