Një e-mail kërcënues ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit mëngjesin e sotëm, pasi është dërguar njëkohësisht në adresat elektronike të disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit. Në mesazhin, që sipas policisë kishte përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, pretendohej se në ambientet e institucioneve ishin vendosur bomba.
Sipas informacioneve, një email me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste është dërguar në orare të ndryshme në disa institucione, ku pretendohet se janë vendosur lëndë plasëse dhe do të shpërthejë për 2 orë. Mes institucioneve të përmendura në mesazh janë edhe SPAK dhe GJKKO.
Pas alarmit, strukturat e policisë nisën menjëherë kontrollet në institucionet e përfshira. Deri në këto momente, kontrollet nuk kanë zbuluar bombë apo ndonjë lëndë tjetër eksplozive.
Ndërkohë, hetimi është përqendruar te gjurmimi i personit që qëndron pas mesazhit. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese, po punojnë për identifikimin e autorit dhe të adresës nga e cila është dërguar kërcënimi.
Policia e Shtetit deklaron se situata po mbahet nën kontroll dhe u bën thirrje qytetarëve të mos përfshihen nga paniku, ndërsa verifikimet dhe hetimet vijojnë.

