25.5 C
Tirana
Friday, August 28, 2026

Arrestohet Ergys Agasi së bashku me truprojën Uljan Shpataraku, njeri shumë i afërt me ish-kreun e Policisë së Shtetit, Ilir Proda (Detaje+dosja e plotë)

Ergys Agasi, një prej personave të shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është arrestuar ditën e sotme, 26 gusht, në Durrës. Forcat Operacionale i kanë vënë prangat në zonën e Plepave, teksa ka qenë duke udhëtuar me automjet.

Në momentin e arrestimit, Agasi shoqërohej nga Uljan Shpataraku, ish-drejtues në Policinë e Shtetit, i njohur si krahu i djathtë i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda. Burime mediatike bëjnë të ditur se gjithashtu është shoqëruar nga policia edhe Uljan Shpataraku pasi ishte person i shpallur në kërkim.

SPAK zbardh arrestimin e Ergys Agasit: Ja 7 akuzat që rëndojnë ndaj tij

Prokuroria e Posaçme ka reaguar në orët e vona me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Ergys Agasit, i shpallur në kërkim prej muajsh për aferën e AKSHI-t.

Në njoftimin zyrtar, SPAK e lidh hetimin me një sërë veprash penale, duke nisur nga ndërhyrjet e paligjshme në konkurrencë dhe tendera publikë, deri te korrupsioni, pastrimi i parave dhe aktiviteti kriminal në kuadër të një grupi të strukturuar.

Njoftimi i SPAK:

Pas një pune disa javore në bashkëpunim të ngushtë me strukturat operacionale të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot më datë 26.8.2026, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Ergys Agasi, në hyrjen jugore qytetit të Durrësit, në zonën e Plepave, në autostradë. Në momentin e arrestimit ky shtetas shoqërohej nga shtetasi, U. Sh, ish punonjës policie, i cili është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” e parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon hetimet për procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025,  për të cilin, më datë 05.12.2025, ka regjistruar edhe emrin e shtetasit Ergys Agasi.

Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal.

Ndaj personit nën hetim dhe konkretisht shtetasit Ergys Agasi, me vendimin nr. 125 datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Pare Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K. Pr. Penale. Vendimi i gjykatës është dërguar menjëherë për tu ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit me shkresën nr. 43104 prot, dt.17.12.2025.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar falenderon Policinë e Shtetit për kryerjen me sukses të operacionit.

Policia kontrolle tek “Liqeni i Thatë”, në disa banesa

Pas arrestimit të Ergys Agasit dhe ish-efektivit të policisë Uljan Shpataraku në Durrës, operacioni i koduar “The Wanted” po vijon në kryeqytet. Menjëherë pas prangosjes së tyre në zonën e Plepave në Durrës, forcat e policisë kanë zbarkuar në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë.

Efektivët e policisë kanë ushtruar kontroll blic në banesën e Uljan Shpatarakut. Hetuesit po këqyrin ambientet e banesës me qëllim sekuestrimin e pajisjeve elektronike, dokumenteve apo sendeve të tjera me vlerë hetimore.

Pas arrestimit, SPAK ka sekuestruar edhe automjetin luksoz të biznesmenit Ergys Agasi, një Land Rover Defender, i cili dyshohet se ishte mbajtur i fshehur në garazhin e një prej vilave në “Equos Resort”.

Automjeti është gjetur gjatë veprimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sekuestrimi i makinës vjen një ditë pas arrestimit të Agasit në zonën e Plepave në Durrës, në një operacion të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në dhe SPAK-un.

Biznesmeni u lokalizua teksa udhëtonte me një automjet, ndërsa me të ndodhej edhe ish-punonjësi i policisë, Uljan Shpataraku, i cili u arrestua gjithashtu.

Agasi ishte shpallur në kërkim prej dhjetorit 2025, pasi ndaj tij ishte caktuar masa “arrest në burg” në kuadër të hetimeve për procedurat e prokurimeve të AKSHI-t.

Biznesmeni Agasi po merret në pyetje nga oficerët e BKH

Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Ergys Agasit, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së AKSHI-t.

Pas prangosjes, organet e drejtësisë kanë nisur menjëherë veprimet procedurale, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se e kanë ndihmuar gjatë kohës që ishte në arrati.

Sipas gazetares Klodiana Lala, Ergys Agasi po merret në pyetje nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), teksa ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Ergys Agasi me orë me vlerë qindra mijëra euro gjatë arrestimit

Një detaj që ka tërhequr vëmendjen gjatë arrestimit të Ergys Agasit ditën e sotme, 26 gusht, është ora që ai mbante në dorë.

Nga pamjet, ora ngjason me një model luksoz të markës “Richard Mille”, një prej markave më të shtrenjta të orëve në botë. Dyshohet se bëhet fjalë për një variant të serisë RM 11-03.

Çmimet e orëve “Richard Mille” nisin përgjithësisht nga rreth 100 mijë euro, ndërsa modelet e veçanta dhe ato të prodhuara në seri të kufizuara mund të arrijnë në disa qindra mijëra apo edhe miliona euro.

Modeli me të cilin ngjason ora e Agasit mendohet se mund të ketë një vlerë prej disa qindra mijëra eurosh.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat