Deklarata e fundit e deputetit me shumë mandate, Fatmir Xhafaj dhe në këtë legjislaturë me detyrën e kryetarit të komisionit të posaçëm parlamentar për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, ku akuzoi hapur prokurorët se po abuzojnë me kadastrën, përbën një zhvillim që tejkalon retorikën e zakonshme politike. Kjo deklaratë prek drejtpërdrejt balancën e brishtë të pushteteve në Shqipëri. Ajo që në dukje artikulohet si një shqetësim për ligjshmërinë, në thelb mban erë ndërhyrje politike në punët e drejtësisë dhe zbulon një përpjekje të ethshme për faktorizim personal nga një figurë e konsumuar e tranzicionit shqiptar.
Kur një zyrtar i lartë politik drejton gishtin nga prokurorët për çështje të nxehta siç është Kadastra, vija ndarëse mes pushtetit ligjvënës dhe atij gjyqësor pothuajse fshihet. Ky lloj qëndrimi mbart rrezikun e ndërhyrjes politike në investigime konkrete.
Prokuroria është një organ kushtetues i pavarur dhe përcaktimi nëse një prokuror po abuzon apo po heton drejt, nuk mund të bëhet nga foltoret e komisioneve parlamentare, qoftë ky edhe nga një kryetar komisioni. Një qasje e tillë krijon një presion të papërshtatshëm mbi prokurorët që kanë në duar dosje sensitive të tjetërsimit të pronave (siç rezulton së fundmi nga hetimet e SPAK), duke cenuar parimin themelor të ndarjes së pushteteve.
Në një shtet që pretendon se funksionon mbi parimet e sundimit të ligjit, standardi i reagimit ndaj shkeljeve nuk është mediatik apo politik, por institucional. Nëse Xhafaj zotëron prova apo indicie të mjaftueshme se prokurorë të caktuar po keqpërdorin sistemin e kadastrës për qëllime abuzive, rruga e tij ligjore është e mirëpërcaktuar. Ndërkohë, nëse nuk e bën këtë dhe në një shtet po aq normal, sa e kërkon Xhafaj të paktën teorikisht, duhet të akuzohet për moskallëzim krimi më minimalja e mundshme.
Fakti që ai zgjedh të shmangë këto kanale ligjore dhe preferon denoncimin publik nga karrigia e komisionit të posaçëm, ngre pikëpyetje të mëdha mbi qëllimin e vërtetë të këtij artikulimi. Kjo sjellje ekspozon mënyrën se si politika tenton ende të kontrollojë apo të paktën të intimidojë organet e reja të drejtësisë përmes komisioneve që dublojnë institucionet legjitime.
I gjithë ky aksion agresiv mund të lexohet qartë si një përpjekje e dëshpëruar për faktorizim politik në një kohë kur protagonizmi i Xhafajt ka pësuar rënie drastike. Fatmir Xhafaj është një figurë me jetëgjatësi të madhe në politikën shqiptare, e për rrjedhojë, tërësisht e konsumuar në sytë e opinionit publik dhe medias. Me tkurrjen e dukshme të raporteve të tij të ngushta me Kryeministrin Rama dhe humbjen e peshës specifike brenda strukturave vendimmarrëse të Partisë Socialiste, ai po e sheh veten jashtë rrethit të parë të vendimmarrjes dhe pa hapësirë në debatin kryesor mediatik.
Në këto kushte, komisioni i tij i posaçëm po përdoret si “kalaja” e fundit politike. Sulmi ndaj prokurorëve shërben si një mekanizëm për të rikthyer vëmendjen dhe për të dëshmuar se ai mbetet një aktor që mund të diktojë agjendën. Megjithatë, duke bërë këtë, ai rrezikon të shndërrohet në një pengesë për vetë pavarësinë e atij sistemi të ri të drejtësisë, arkitekt i të cilit pretendonte se ishte disa vite më parë.

