Një vrasje që nuk ishte “surprizë” ndodhi pasditen e së shtunës në lagjen 14 në Korçë, ku mbeti i vrarë 20-vjeçari Joan Zuko ushtarak tek Forcat e Armatosura.
Autori, Kristjan Sterjo, e ka ndjekur të riun, i cili nuk banonte në këtë lagje, teksa përpiqej të fshihej në një pallat. Më pas e ka kapur brenda pallatit dhe e ka vrarë me armë zjarri kallashnikov.
Arrestimi
Policia ka arrestuar 20-vjeçarin Kristjan Sterjo, i dyshuar si autori i vrasjes së 21-vjeçarit Johan Zyko, ngjarje e ndodhur pasditen e djeshme në Korçë.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, pas një konflikti për motive të dobëta mes tyre. Konflikti dyshohet se është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë e të shtënave, 21-vjeçari Johan Zyko humbi jetën.
Pas ngjarjes, Sterjo dyshohet se është larguar nga vendi i krimit. Pas disa orësh është lokalizuar dhe arrestuar në lagjen nr. 3, pranë banesës së tij.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar edhe një pushkë automatike, e dyshuar se është përdorur në vrasje.
Dëshmia e autorit
Autori i dyshuar, Kristjan Sterjo, i cili u arrestua rreth 6 orë pas ngjarjes, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor, duke folur për konfliktin që parapriu krimin.
Sipas dëshmisë së Sterjos, një nga shkaqet që dyshohet se çoi në përshkallëzimin e konfliktit ka qenë pretendimi se 20-vjeçari kishte ngacmuar të dashurën e tij. Përballja mes dy të rinjve, megjithatë, dyshohet se nuk ishte e rastësishme, pasi ata kishin pasur edhe më herët debate dhe përplasje.
Hetuesit po marrin në konsideratë edhe konfliktet e mëparshme mes viktimës dhe autorit të dyshuar. Sipas të dhënave të deritanishme, dy të rinjtë kishin pasur debate disa ditë para ngjarjes, ndërsa përplasjet dyshohet se lidhen edhe me pretendimet se kush konsiderohej “më i forti” i lagjes.
Situata mes tyre dyshohet se ishte përshkallëzuar përmes sharjeve, ngacmimeve dhe përplasjeve të vazhdueshme, deri në momentin kur konflikti mori një kthesë tragjike.

U vra teksa ngjiste shkallët për të shpëtuar, banorja tregon momentet kur u gjet Johan Zuko
Një nga banoret e këtij pallati ka treguar për momentin kur është gjetur trupi i Zukos. Fillimisht, ajo sqaroi se u dëgjua një zhurmë e madhe dhe se ajo personalisht mendoi se dikush mund të ishte rrëzuar nga shkallët. Kur ka dalë nga banesa, fqinja në katin e tretë i tha asaj të lajmëronte autoritetet.
“Çfarë të tregoj? Unë isha brenda në shtëpi. Dhe për një moment… dëgjova një zhurmë të madhe sikur përplasej diçka. Dhe unë i thashë nënës, i thashë mamit, se isha vetëm me mamin, do dal që ta shikoj çfarë po bëhet. Thashë mos ra ndonjë njeri nga shkallët dhe që t’i ndihmoja. Dhe sa dola këtu, kur ajo gruaja e katit të tretë, se te dera e saj ishte bërë, ajo thërriste me të madhe: ‘Lajmëroni policinë, ambulancën’. Ngjitem unë me vrap të shikoj një njeri të shtrirë poshtë në tokë, barkas. Dhe unë thashë mos ishte fëmija i saj.
Edhe i thashë: ‘Çfarë po bëhet kështu?’. ‘Ku di unë’, më thotë ajo. Nuk e mblidhnim dot veten fare. Pashë djalin aty, dy metra djalë, të shtrirë poshtë, të gjakosur, po i rridhte pastaj gjaku nga koka. Edhe nuk… nuk e di. Pastaj erdhi policia”, tha ajo. Ajo gjithashtu theksoi se viktima nuk njihej nga banorët, pasi nuk ishte i kësaj zone. “Nuk e njohim fare. Nuk është i pallatit tonë. Nuk është i pallatit tonë ai. Nuk e di as ku banon, as ku… nuk e di. Shumë e tronditur. Tmerr!”, tha ajo.

