26.1 C
Tirana
Wednesday, July 15, 2026

Dialog i nivelit të lartë në ILD mbi përgjegjshmërinë gjyqësore dhe standardet e inspektimit

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, mirëpriti Prokurorin e Përgjithshëm pranë Gjykatës së Lartë të Holandës, z. Edwin Bleichrodt, i cili shoqërohej nga Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, z. Reinout Vos, znj. Anne Tahapary nga Qendra e Trajnimit dhe Studimeve për Gjyqësorin e Holandës (SSR), si dhe znj. Edlira Osmani, Këshilltare e Lartë e Politikave për Sundimin e Ligjit në Ambasadën e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri.

Pjesë e vizitës ishte zhvillimi i Dialogut të Nivelit të Lartë ndërmjet Prokurorit të Përgjithshëm pranë Gjykatës së Lartë të Holandës, z. Edwin Bleichrodt, dhe Njësisë së Inspektorëve dhe Ndihmësinspektorëve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), me temë “Përgjegjshmëria Gjyqësore dhe Standardet e Inspektimit”. Gjatë këtij dialogu u diskutuan gjerësisht përvoja holandeze dhe ajo shqiptare në fushën e inspektimit të sistemit të drejtësisë, si dhe u shkëmbyen praktika dhe qasje mbi standardet profesionale dhe mekanizmat e përgjegjshmërisë gjyqësore.

Objektivi i këtij dialogu strategjik ishte nxitja e shkëmbimit institucional ndërmjet Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm pranë Gjykatës së Lartë të Holandës mbi përgjegjshmërinë gjyqësore, metodologjitë e inspektimit dhe sfidat sistemike të drejtësisë. Vëmendje e veçantë iu kushtua balancimit të pavarësisë së gjyqësorit me mbikëqyrjen efektive, përmirësimit të efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë, si dhe forcimit të besimit të publikut përmes praktikave të inspektimit transparente dhe të bazuara në analizën e riskut, në përputhje me standardet evropiane të shtetit të së drejtës.

Prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Lartë të Holandës, z. Edwin Bleichrodt, duke u mbështetur në përvojën e tij në drejtimin e një strukture prej 22 avokatësh të përgjithshëm, e cila ushtron kompetenca në fushën e mbikëqyrjes dhe procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve, prezantoi modele konkrete pune dhe praktika institucionale. Në fjalën e tij, ai u ndal te përgjegjshmëria gjyqësore si një element plotësues i pavarësisë së gjyqësorit, si dhe te standardet e Bashkimit Evropian për shtetin e së drejtës. Gjithashtu, ai trajtoi rëndësinë e identifikimit të problematikave sistemike, përtej përgjegjësisë individuale të magjistratëve, si një qasje që kontribuon në përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë.

Gjatë diskutimeve u evidentuan ngjashmëri mes praktikës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe modelit holandez, veçanërisht në lidhje me mënyrën e planifikimit dhe përcaktimit të inspektimeve, të cilat bazohen në problematikat e evidentuara nga ankesat e paraqitura dhe në analizën e riskut.

Takimi u organizua në kuadër të projektit MATRA të Qeverisë së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, pjesë e projektit “Forcimi i Integritetit Gjyqësor”, i cili zbatohet nga Qendra Holandeze e Trajnimit dhe Studimit për Gjyqësorin.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat