26.2 C
Tirana
Saturday, July 18, 2026

Partia e rrogëtarëve të Kuvendit: Shefa në seli, vartës në administratën parlamentare

Në Partinë Demokratike është mbyllur një proces zgjedhor që, të paktën në letër, synonte të promovonte drejtuesit e rinj të opozitës.

Por, duke parë organigramën e re, bie në sy një detaj jo i vogël: një pjesë e mirë e emrave që sot mbajnë poste të rëndësishme në parti figurojnë njëkohësisht në borderonë e Kuvendit si këshilltarë të Grupit Parlamentar të PD-së.

Pra, në selinë blu japin urdhra. Në administratën parlamentare marrin urdhra.

Më poshtë është një listë, jo e plotë, e këshilltarëve që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka regjistruar në borderonë e Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo listë është edhe më e gjatë falë marrëveshjes Bardhi–Peleshi, sipas së cilës Grupi Parlamentar i PD-së do të votonte ndryshimet e rregullores për Komisionin Xhafaj dhe, në këmbim, do t’i shtoheshin aq kuota këshilltarësh sa i nevojiteshin.

Everst Dedja

Nikola Kedhi

Marash Logu

Dorian Teliti

Ilda Zhulali

Elona Meco

Adriana Kalaja

Desada Xhetani

Ines Nurja

Xhodi Hysa

Aured Kanaçi

Mjafton të krahasosh këtë listë me organigramën e re të Partisë Demokratike për të kuptuar paradoksin.

Marash Logu, i punësuar në Kuvend si këshilltar i Grupit Parlamentar të PD-së, është zgjedhur Sekretar për Zgjedhjet.

Nikola Kedhi, i punësuar dhe i paguar nga Kuvendi si këshilltar i Grupit Parlamentar të PD-së, ku në hierarkinë administrative është vartës i Marash Logut, është zgjedhur Nënkryetar i Partisë Demokratike.

Adriana Kalaja, e punësuar në Kuvend si këshilltare e Grupit Parlamentar të PD-së dhe, në të njëjtën hierarki administrative, vartëse e Marash Logut, është vendosur drejtuese e Gjykatës së Partisë.

Kështu, nënkryetari i ri i Partisë Demokratike, sapo mbaron mbledhjen e Kryesisë, të nesërmen paraqitet në zyrat e Grupit Parlamentar si këshilltar i administratës, ku detyra e tij është të mbështesë deputetët në punën e përditshme, sipas kërkesave dhe udhëzimeve të tyre. Në seli është numri dy i partisë; në Kuvend është pjesë e zinxhirit administrativ.

Natyrisht, nuk ka asgjë të paligjshme që një funksionar partie të jetë i punësuar si këshilltar në Kuvend. Paradoksi është tjetër: drejtuesit e rinj të opozitës nuk po dalin nga një elitë politike e konsoliduar, por nga administrata e Grupit Parlamentar.

Në fund, mbetet e paqartë cila është grada reale: ajo që shkruhet në organigramën e Partisë Demokratike apo ajo që figuron në borderonë e Kuvendit. Sepse, në fund të muajit, është borderoja ajo që vulos hierarkinë e vërtetë./ Marrë nga Vna.al

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat