Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka publikuar raportin statistikor për periudhën janar-qershor 2026, duke bërë një bilanc të veprimtarisë së saj gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit.
Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe janë përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit 24 efektivë. Po ashtu, AMP ka referuar në Prokurori 232 punonjës policie dhe 2 punonjës të Gardës së Republikës për vepra të ndryshme penale.
Raporti tregon gjithashtu se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë arrestuar në flagrancë 9 punonjës policie, 1 punonjës i Gardës dhe 1 punonjës i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Një tjetër element që bie në sy në raport është numri i lartë i ankesave që kanë rezultuar të pabazuara. Sipas AMP-së, gjatë periudhës janar-qershor janë administruar 752 kërkesa dhe ankesa. Nga këto, 434 raste janë vlerësuar si të pabazuara, ndërsa për 251 raste nuk është arritur të provohet pretendimi i ngritur.
Nga të gjitha denoncimet e administruara, AMP bën me dije se janë regjistruar procedime penale për 15 raste, ndërsa hetimet kanë vijuar sipas procedurave ligjore.

