Edi Rama do të mbledhë mëngjesin e kësaj të enjte Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar. Takimi pritet të zhvillohet në orën 10:00, në Pallatin e Brigadave.
Zyrtarisht, në qendër të diskutimeve pritet të jetë koncepti i “Pranisë Besnike”, një model i ri organizimi i socialistëve në terren, ndërsa raportohet se mbledhja mund të sjellë edhe zhvillime në qeveri.
Por burime brenda PS, duke marrë shkas edhe nga dorëheqja e ministres Sala, Kryeministri Rama pritet të njoftojë ndryshime të mundshme në kabinet, ndonëse ende nuk ka detaje zyrtare mbi ministrat që mund të preken nga lëvizjet.
Nuk do të ishte hera e parë që Rama zgjedh një mbledhje të përbashkët të deputetëve dhe ministrave për të komunikuar ndryshime në qeveri. Edhe në janar të këtij viti, disa lëvizje në kabinet u njoftuan pikërisht në një takim të këtij formati.

