22.3 C
Tirana
Wednesday, July 8, 2026

Gjykata e Elbasanit i hap rrugë lirimit të Damiano Toshit pranon gjykim të shkurtuar për të dënuarin me burgim të përjetshëm

Kur njerëzit e drejtësisë po shkojnë drejt pushimeve të verës, në heshtje të plotë me datë 7 korrik, Gjykata e Elbasanit ka pranuar gjykimin e shkurtuar duke përgatitur terrenin për lirimin e Damiano Toshit. I njohur si anëtar i bandës së “5 dyqaneve”, Toshi akuzohet për vrasjen e dy basketbollistëve të ekipit të “Skënderbeut”, Sokol Jahollarit, Rafael Rizanit, dhe plagosjen e Julian Beckës më 3 shtator të vitit 2004, pranë Pallatit të Sportit në Korçë. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për krimin e rëndë që tronditi vendin 22 vite më parë dhe vendimi u dha nga Gjykata e Elbasanit pasi çështja u transferua për gjykim në këtë rreth për shkak të trazirave në Korçë, ndërsa u la më pas në fuqi edhe në Apel. Por, Gjykata e Lartë më shumë se 2 vite më parë e prishi dënimin me burgim të përjetshëm dhe urdhëroi Gjykatën e Elbasanit ta rigjykonte nga e para çështjen e vrasjes së basketbollistëve.

Por, në kohën kur dhjetëra çështje të tjera kanë tërhequr vëmendjen, Gjykata e Elbasanit ka pranuar kërkesën e Toshit për gjykim të shkurtuar, çka automatikisht e shpëton nga burgimi i përjetshëm. Gjyqtarët e kanë argumentuar këtë vendim me faktin se ai e ka kryer veprën penale përpara ndryshimeve të Kodit Penal që ndalon gjykimin e shkurtuar për këtë kategori veprash penale.

Prokuroria e Elbasanit ka kundërshtuar pranimin e gjykimit të shkurtuar, dhe i ka qëndruar kërkesës për dënimin e Damiano Toshit me burgim të përjetshëm.

Me pranimin e gjykimit të shkurtuar një prej personazheve ’emblematikë’ në botën e krimit dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore pritet të dalë në liri.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat