Nga Erjona Malo
Në fjalorin politik shqiptar, termi “liliput” ka kohë që ka humbur lidhjen me gjatësinë fizike. Sot, ai përshkruan mjerimin moral, profesional dhe vizionar të një kaste që qeveris prej dekadash. Ironia më e madhe e realitetit tonë është se këta njerëz, ndonëse mbajnë në duar timonin e një pushteti absolut dhe të shtrirë në kohë, mbeten jashtëzakonisht të vegjël në raport me nevojat e kombit. Ata kanë pushtet të gjatë, por lënë gjurmë të shkurtra. Janë të konsumuar nga vitet në kolltuk, por të pangopur nga privilegjet, duke dëshmuar përditë se qëllimi i tyre i vetëm nuk është të bëjnë shtet, por të mbajnë pushtet.
Pushteti i zgjatur pa rotacion real dhe pa llogaridhënie prodhon detyrimisht arrogancë dhe shkëputje nga realiteti. Liliputët tanë politikë jetojnë në një fushë të mbrojtur nga xhamat e zinj të makinave luksoze dhe zyrat e rrethuara me roje. Ata e kanë humbur përfundimisht lidhjen me njerëzit e thjeshtë. Për ta, problemet e qytetarit janë thjesht statistika ose zhurmë mediatike që duhet menaxhuar me propagandë. Kjo kastë e konsumuar nuk frymëzon më askënd; ajo thjesht riciklon veten përmes strukturave klienteliste, duke e kthyer politikën nga një mision shërbimi në një biznes privat familjar.
Nëse pyet sot se cili është projekti i madh shtetformues i kësaj klase politike, përgjigjja është një heshtje ulëritëse. Ata nuk duan të bëjnë shtet të fortë, institucional dhe ligjor, sepse një shtet i tillë do t’u kërkonte llogari. Liliputëve u intereson një shtet i dobët, me institucione të kapura, ku ligji zbatohet me dy standarde: me rreptësi ndaj të pafuqishmit dhe me tolerancë absolute ndaj të fortit. Duke mos pasur vullnet për të ndërtuar sisteme të qëndrueshme të arsimit, shëndetësisë apo drejtësisë, ata e kanë kthyer vendin në një tokë tranziti, nga ku rinia dhe truri i kombit ikin masivisht në emigrim.
Në këtë moçal të krijuar nga vogëlsia e liderëve tanë, njerëzit me integritet, profesionistët e vërtetë dhe ata që refuzojnë të përkulen, po kthehen në një minorancë gjithnjë e më të izoluar. Në partitë tona dhe në administratën publike, meritokracia është zëvendësuar nga servilizmi. Kush ka shtyllë kurrizore, kush guxon të mendojë ndryshe apo të mbrojë interesin publik, mënjanohet ose sulmohet. Liliputët politikë kanë frikë nga njerëzit e mëdhenj në mendim dhe moral; prandaj, rreth vetes afrojnë vetëm ata që janë më të vegjël se veten, duke e çuar shoqërinë drejt një negative-seleksionimi të rrezikshëm.
Meqenëse mbështetjen e pastër dhe organike të popullit e kanë humbur me kohë, ku e gjejnë sot legjitimitetin këta politikanët tanë? Përgjigjja fshihet te zyrat e huaja. Vetëm atëherë kur publikohen raportet vjetore të Komisionit Europian (KE) apo progres-raportet e radhës, liliputët e politikës zgjohen dhe fillojnë të festojnë. Ata marrin vlerësime të mbyllura në fjalitë diplomatike të Brukselit, duke i shitur si vula suksesi “përparimet e ngadalta” ose “përafrimet e ligjeve”.
Ndërsa populli përballet me korrupsionin e përditshëm në zyra, publiku përballet me mjerimin intelektual dhe njerëzor të këtij mentaliteti tumoral, administrata përballet me presionin e te paaftëve dhe servilëve dhe të të korruptuarve, shoqëria përballet me zbrazëtinë dhe falcitetin e spektakleve që mbulojnë antivlerat, media e lirë ka humbur busullën e së vërtetës dhe interesit publik, politika krenohet me vleresimet e burokratëve që Shqipërinë e shohin vetëm nga letrat dhe statistikat e kontrolluara.
Shqipëria nuk mund të rritet nëse udhëhiqet nga liliputë. Një vend nuk mund të bëhet me shtet të fortë nëse ata që e qeverisin janë të vegjël në vizion, të konsumuar në ide dhe të shkëputur nga njerëzit e tyre. Ky shkrim nuk është disfatist. As tregon paaftësinë e shoqëisë shqiptare për të reaguar ndaj padrejtësisë. Ky shkrim përpiqet të tregojë batakun në të cilin këta liliputë e kan çuar shoqërinë shqiptare. Por historia e botës, por dhe e Shqipërisë ka treguar se e mira gjithmonë triumfon mbi të keqen dhe kapësit e pushtetit mbeten gjithnjë liliputë dhe ne anën e gabuar të historisë. Sepse në fund, siç thotë Oscar Wild, askush nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e vet.

