32.6 C
Tirana
Friday, June 26, 2026

Shesim mend, shesim vend, shesim moral…

Kur derri mësoi se dhia i tha deles: “Ta pashë”, mendoi se mund t’ia shihte edhe ai kujtdo!

Si protestues fizik, por larg botës numerike të internetit, m’u tregua se kishte nisur baltosja ndaj personave që dilnin me pamje e zë në protestë, duke përdorur si informacione edhe gënjeshtra të një shteti të tërë ndaj individëve pak më të paduruar. Dëgjova se në mes të zvarritjes me dhunë të qytetarëve në tokën e vet, rrethimeve të tokave më të bukura të vendit për qëllime zaptimi – zhvillim po i thonë sot – dëmtimit të natyrës dhe gjësë së gjallë, kjo në kontekstin ku vetëm vidhemi rregullisht prej një grushti personash që shkëmbehen vazhdimisht me njëri-tjetrin (përveç këtyre 16 viteve të fundit),  në mes të një momenti atipik ku ne apatikët u çuam të protestojmë pa na thirrur njëra prej partive, na dilka që halli më i madh na qenka se a ka luftuar apo jo një person që ka dhënë në fakt kontribut kombëtar edhe familjarisht.

Pra, dikush që në atë kohë i hipi avionit për dy shpulla, po nxjerr në pazar diskutimin se a u menduan dy herë apo jo ata që si përfundim luftuan për komb!

Pa u futur në hollësi përsëritëse, pasi disa germa janë të arta dhe nuk përmenden vend e pa vend, them se nuk duhet të biem pre e gurëve që hedh derri në lum për të njollosur të tjerët teksa vetë është mishërimi i baltës. Për më tepër, as nuk besoj se derri “ia ka parë” vërtetë.

Kushdo prej nesh që nisi për inerci të peshonte se a po thoshte derri të vërtetën dhe se a ishte i pastër qelibar bashkëqytetari i akuzuar, duhet të përqafojë njëherë e mirë mëkatet e veta, t’i pranojë ato, në mënyrë që të fitojmë më në fund imunitet nga sulmet e stallës.

Në fund të fundit, a nuk u menduam vetë dy herë se a të dilnim në protestë apo jo?

Si shoqëri duhet të biem dakord se pavarësisht mëkateve vetjake dhe kolektive që kemi, sikur sot po duam të bëhemi më të mirë, kjo edhe sepse po na vjen turp prej fëmijëve tanë që janë më të mirë se ne, por edhe prej paraardhësve të cilët dhanë jetën që ne të jetojmë të lirë dhe, mbi të gjitha, me dinjitet.

Nëse arrijmë të imunizohemi nga sulmet personale të stisura nga derra që as tek maja e thoit nuk u vijnë qytetarëve protestues, atëherë do ta kemi zhbërë njëherë e mire armën e neveritshme të moralit nga persona që veç me moralin lidhje nuk kanë.

Jo çdo gomar që fluturon duhet të na tërheqë vëmendjen!

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat