26.4 C
Tirana
Friday, June 26, 2026

Nga Tirana në Strasburg/Kur Shqipëria i jep zë drejtësisë në Evropë

Shqipëria po konsolidon gjithnjë e më shumë praninë dhe ndikimin e saj në arenën institucionale evropiane, veçanërisht përmes zërit të drejtuesve të institucioneve të saj të pavarura të drejtësisë, një prej të cilave Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ky pozicionim i ri dëshmon rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare ndaj reformave të ndërmarra në vend. Ky trend konfirmohet qartë nga vendimi më i fundit për t’i dhënë Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit Gjyqësor (RESIJ) statusin e vëzhguesit pranë Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ).

Ky zhvillim nuk është një ngjarje e izoluar, por vijimësi e një rrugëtimi ku Shqipëria ka treguar aftësi për të kontribuar aktivisht në standardet evropiane të drejtësisë. Duke qenë pjesë aktive e RESIJ, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si një ndër institucionet e reja kushtetuese të Reformës në Drejtësisë, i bashkëngjitet një tryezë të rëndësishme diskutimi me strukturat e Këshillit të Evropës. Ky status i ri jo vetëm që rrit peshën specifike të vendit tonë në vendimmarrjet rajonale, por shërben edhe si një mekanizëm i fuqishëm për shkëmbimin e praktikave më të mira në rritjen e efikasitetit dhe transparencës gjyqësore.

Vendimi për t’i dhënë Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit Gjyqësor (RESIJ) statusin e vëzhguesit pranë Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) përbën një zhvillim me rëndësi të veçantë për arkitekturën evropiane të drejtësisë. Nuk është thjesht një akt formal institucional. Është njohje e rolit që mekanizmat e inspektimit dhe llogaridhënies po marrin në garantimin e cilësisë së sistemeve gjyqësore.

Edhe më domethënës është fakti se kërkesa për këtë status u paraqit nga Shqipëria, në emër të RESIJ, përmes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Në një kohë kur Shqipëria shpesh perceptohet si përfituese e ekspertizës evropiane, ky rast e vendos vendin në një pozicion tjetër; atë të një aktori që kontribuon në ndërtimin e politikave dhe standardeve evropiane.

RESIJ, që sot bashkon nëntë shtete: Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Spanja, Franca, Italia, Moldavia, Portugalia dhe Rumania, është krijuar mbi bindjen se pavarësia e gjyqësorit nuk mund të kuptohet pa përgjegjshmëri. Një drejtësi e pavarur ka nevojë edhe për mekanizma që garantojnë integritetin, profesionalizmin dhe respektimin e standardeve etike.

Pranimi si vëzhgues pranë CEPEJ krijon një urë të re bashkëpunimi midis dy strukturave që ndajnë të njëjtin objektiv, që është rritja e cilësisë së drejtësisë në Evropë. Kjo do t’i mundësojë RESIJ të kontribuojë më drejtpërdrejt në debatet dhe iniciativat që lidhen me performancën e sistemeve gjyqësore, ndërsa CEPEJ fiton një partner me ekspertizë të specializuar në fushën e inspektimit dhe përgjegjshmërisë gjyqësore.

Në diplomacinë institucionale, sukseset më të rëndësishme shpesh nuk bëjnë zhurmë. Ato ndërtohen përmes profesionalizmit, kredibilitetit dhe aftësisë për të krijuar konsensus. Pikërisht kështu duhet parë edhe ky moment. Jo si një fitore personale apo kombëtare në kuptimin e ngushtë, por si dëshmi se institucionet shqiptare mund të marrin rol aktiv në zhvillimin e standardeve evropiane.

Statusi i vëzhguesit i RESIJ pranë CEPEJ është një hap i vogël në aspektin formal, por një hap i madh në aspektin e besimit institucional. Dhe fakti që ky hap u hodh nga Shqipëria është një lajm i mirë jo vetëm për sistemin tonë të drejtësisë, por edhe për mënyrën se si vendi po pozicionohet gradualisht në familjen evropiane të institucioneve. Sepse në fund të fundit, nuk është e tepërt të thuhet se kjo gjurmë e re e lënë në institucionet evropiane tregon se kur profesionalizmi dhe pavarësia udhëheqin një institucion si ILD, suksesi i kalon kufijtë e Tiranës. Shqipëria po dëshmon se nuk është më thjesht një vend që pret vlerësime nga Brukseli apo Strasburgu, por një partner që ulet si i barabartë në tryezat ku projektohet e ardhmja e drejtësisë. 

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat