Zamira Voci
Ka një paradoks në protestat politike që meriton të lexohet përtej zhurmës, gurëve, flakëve dhe përplasjeve me policinë. Protestuesit mund të sulmojnë godina shtetërore, të përplasen me uniformat blu dhe të shkatërrojnë prona publike, por institucionet e reja të drejtësisë nuk janë bërë objekt i të njëjtit zemërim. SPAK, KLGJ, KLP dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë vazhdojnë të qëndrojnë jashtë shënjestrës së drejtpërdrejtë të kësaj dhune. Përjashtim bën Gjykata e Lartë, e cila është përfshirë në këtë tablo sulmesh.
Pse ndodh kjo? A është rastësi? A është një zgjedhje e pavetëdijshme? Apo kemi të bëjmë me një mesazh që politika duhet ta lexojë, në vend që të bëjë sikur nuk e sheh? Ndoshta përgjigjja është më e thjeshtë dhe njëkohësisht më domethënëse nga sa duam ta pranojmë. Njerëzit mund të jenë të zemëruar me politikën, por kjo nuk do të thotë se e kanë humbur besimin te çdo institucion i shtetit. Dhe fakti që institucionet e drejtësisë së reformuar nuk janë bërë objekt i të njëjtit sulm mund të jetë një tregues se ato perceptohen ndryshe nga strukturat tradicionale të pushtetit.
Sigurisht, nuk mund të pretendojmë se çdo protestues mendon njësoj apo se mungesa e sulmeve provon, në vetvete, besimin e qytetarëve te drejtësia. Por ky kontrast është i mjaftueshëm për të ngritur një pyetje të fortë! Nëse zemërimi është kundër shtetit, përse nuk drejtohet njësoj ndaj të gjitha institucioneve të tij? Dhe nëse është kundër mënyrës se si ushtrohet pushteti, a mos vallë protestuesit bëjnë, qoftë edhe në mënyrë instinktive, një dallim mes politikës dhe institucioneve që duhet ta kontrollojnë atë?
SPAK-u nuk është një zyrë e zakonshme shtetërore. KLGJ dhe KLP nuk janë struktura që mund të maten me logjikën e një zyre politike. Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk është një shtojcë e qeverisë. Këto institucione kanë funksione të përcaktuara me ligj dhe përfaqësojnë pjesë të arkitekturës së re të llogaridhënies, kontrollit dhe përgjegjësisë në sistemin e drejtësisë.
Ato nuk janë të paprekshme nga kritika. Përkundrazi, duhet të kritikohen sa herë gabojnë, të kontrollohen sa herë ligji e kërkon dhe të japin llogari për ushtrimin e kompetencave të tyre. Por ka një dallim thelbësor mes kritikës dhe shkatërrimit, mes kërkesës për drejtësi dhe sulmit ndaj institucioneve që kanë për detyrë ta japin atë. Nëse protestuesit nuk i shënjestrojnë këto institucione, një interpretim i mundshëm është se ata nuk i shohin si të njëjta me pushtetin politik që kundërshtojnë. Ndoshta, në ndërgjegjen e tyre kolektive, ekziston ende ideja se drejtësia mund të jetë një rrugë për të kërkuar përgjegjësi, edhe kur politika shihet si burim i problemit.
Nëse është kështu, atëherë kemi përpara një mesazh që nuk duhet nënvlerësuar: besimi te drejtësia mund të mbijetojë edhe aty ku besimi te politika është rrënuar. Po Gjykata e Lartë, ku qëndron? Përfshirja e Gjykatës së Lartë në këtë kontrast kërkon një analizë të veçantë. Ajo është pjesë e sistemit të drejtësisë dhe nuk mund të trajtohet sikur të mos ketë asnjë lidhje me të. Por historia institucionale, funksionet dhe perceptimi publik i institucioneve nuk janë gjithmonë të njëjta.
Reforma në drejtësi ka synuar të ndryshojë mënyrën e organizimit, emërimit, kontrollit dhe përgjegjshmërisë së institucioneve. SPAK, KLGJ, KLP dhe ILD janë pjesë e kësaj arkitekture të reformuar, secili me kompetenca të ndryshme. Gjykata e Lartë, nga ana e saj, ka rolin kushtetues të gjykatës më të lartë në sistemin e zakonshëm gjyqësor. A mund të jetë sulmi ndaj saj shprehje e një perceptimi të ndryshëm për drejtësinë e vjetër dhe atë të reformuar? Është një hipotezë që meriton të shqyrtohet, por jo një përfundim që mund të shpallet pa prova për motivet e protestuesve. Megjithatë, vetë kontrasti ngre një çështje politike dhe institucionale që nuk mund të anashkalohet. Sepse shteti nuk është një turmë ndërtesash për t’u djegur.
Këtu duhet të jemi të prerë. Asnjë pakënaqësi politike nuk e justifikon dhunën ndaj institucioneve. Protesta është e drejtë demokratike. Kundërshtimi i qeverisë është legjitim. Kërkesa për dorëheqje, hetim, përgjegjësi dhe zgjedhje të reja është pjesë e debatit publik. Por djegia dhe shkatërrimi i pronës publike nuk janë as program politik, as provë guximi, as rrugë drejt drejtësisë.
Një shtet nuk matet vetëm me numrin e godinave që ka, por me aftësinë për t’i bërë institucionet të funksionojnë të pavarura nga presioni politik. Dhe një shoqëri nuk tregon forcën e saj duke shkatërruar atë që është ndërtuar me paratë e qytetarëve, por duke kërkuar që pushteti të japë llogari brenda rregullave demokratike.
Në këtë pikë, edhe policia bëhet pjesë e të njëjtit debat. Ajo ka detyrimin të mbrojë rendin dhe sigurinë, por duhet të veprojë në përputhje me ligjin, me proporcionalitet dhe duke respektuar të drejtën për protestë paqësore. As uniforma nuk e vendos askënd mbi ligjin, as protesta nuk i jep askujt të drejtën ta shkelë atë.
Nga ana tjetër, politika shqiptare duhet të ndalet për një çast dhe të shohë përtej flakëve. Nëse institucionet e drejtësisë së reformuar nuk janë bërë objekt i të njëjtit zemërim, kjo nuk duhet përdorur si argument për vetëkënaqësi dhe as si provë se ato gëzojnë mbështetje të pakushtëzuar. Por është një mundësi për të kuptuar se qytetarët mund të bëjnë dallime mes pushteteve dhe se besimi institucional nuk është domosdoshmërisht i shuar kudo.
Nëse SPAK heton, le të hetojë pa frikë. Nëse gjykatat gjykojnë, le të gjykojnë pa presion. Nëse KLGJ dhe KLP ushtrojnë kompetencat e tyre, le ta bëjnë këtë me integritet. Nëse ILD-ja kontrollon përgjegjësinë disiplinore, le ta bëjë pa ndikime dhe pa standarde të dyfishta, siç e ka treguar se ka standard të lartë, deri më tani. Pavarësia nuk dëshmohet me deklarata, por me vendime, veprime dhe qëndrueshmëri përballë pushtetit. Drejtësia nuk duhet të jetë as kundërshtare e politikës, as mburojë e saj. Duhet të jetë e pavarur prej të dyjave, në shërbim të ligjit dhe qytetarit.
Sepse, në fund të fundit, një protestues mund të mos i besojë qeverisë, mund të mos i besojë opozitës, mund të jetë i zhgënjyer nga politika e tërë. Por nëse ende sheh te drejtësia një mundësi për të kërkuar llogari, atëherë ky është një besim që shteti ka detyrimin ta meritojë. Ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është pse nuk digjen institucionet e drejtësisë. Pyetja është? A do të bëjnë këto institucione gjithçka që ky besim i mundshëm të mos digjet kurrë?!

