Zamira Voci
Ka një hipokrizi që më revolton në mënyrën se si flasim për policinë gjatë protestave. Një hipokrizi që shfaqet sa herë që turma përballet me uniformën, sa herë që tensioni rritet dhe sa herë që dikush vendos të harrojë se edhe polici është njeri, ka dinjitet, ka familje dhe ka të drejta që nuk zhduken sapo vesh uniformën.
Le ta themi troç! E drejta për të protestuar nuk është e drejtë për të dhunuar. Dhe uniforma e policisë nuk është licencë për t’u dhunuar. Nëse polici qëndron dhe nuk reagon përballë dhunës, mund të akuzohet se nuk përmbush detyrën e tij. Nëse ndërhyn, menjëherë nis gjyqi publik: pse përdori forcën, pse ngriti shkopin, pse nuk duroi edhe pak, pse nuk e la turmën të bëjë çfarë të dojë? Në njërën anë i kërkohet të zbatojë ligjin, në anën tjetër i kërkohet të durojë shkeljen e tij mbi kurrizin e vet. Pra me pak fjalë “hip se të vrava, zbrit se të vrava!”
Por ligji nuk mund të jetë një kurth pa dalje për atë që është ngarkuar ta zbatojë. Polici nuk mund të jetë njëkohësisht objekt dhune dhe i vetmi person të cilit i kërkohet të mos reagojë. Ai duhet të ndërhyjë kur e kërkon ligji, por ndërhyrja e tij duhet të jetë e domosdoshme, proporcionale dhe e kontrollueshme. As duart e protestuesit nuk janë të shenjta kur godasin, as shkopi i policit nuk është i justifikuar automatikisht vetëm sepse mbahet nga një uniformë.
Madje duhet të durojë shumë që i thonë pak centimetra larg fytyrës se rri me shkop gome për bukën e gojës! Kjo shprehje, e përdorur si fyerje ndaj policit, është një nga ato momente kur njeriu zbulon më shumë për paragjykimet e veta sesa për personin që ka përballë.
Po, polici punon për bukën e gojës. Merr një pagë për punën që bën. Ka zgjedhur një profesion që kërkon disiplinë, përgatitje, vetëpërmbajtje dhe, në rrethana të caktuara, përballje me rrezikun. Ku qëndron turpi këtu? Që një njeri punon për të fituar bukën e gojës është arsye për respekt, jo për përçmim. Është një nga të vërtetat më normale të jetës:, sepse njerëzit punojnë për të jetuar. Mësuesi jep mësim për pagën, mjeku shkon në spital për pagën, gazetari punon për pagën dhe polici shërben për pagën. Askush nuk shkon në punë çdo mëngjes vetëm për të marrë duartrokitje. Pse, atëherë, kur vjen puna te polici, paga përdoret si fyerje? Sikur të ishte më dinjitoze të fitosh para duke mos bërë asgjë, duke mashtruar, duke shkelur ligjin apo duke u pasuruar në kurriz të të tjerëve! Po çfarë duhet të bëjë ky njeri? Të shesë drogë që të quhet i fortë? Të jetojë jashtë ligjit që të mos e përqeshin se punon për rrogë? Të braktisë një punë të ndershme vetëm që dikush në turmë të mos e quajë të shitur? Që kur u bë turp të jetosh me punë të ndershme dhe virtyt të fitosh para duke shkelur ligjin?
Këtu qëndron absurdi. Një shoqëri që duhet të nxisë punën e ndershme, disiplinën dhe përgjegjësinë, përfundon duke i përdorur pikërisht këto si mjete për të poshtëruar dikë. Dhe pastaj çuditemi pse na mungon respekti për institucionet, pse të rinjtë e kanë të vështirë të besojnë te puna dhe pse ndonjëherë duket sikur vlerësohet më shumë ai që sfidon ligjin sesa ai që paguhet për ta zbatuar. Protestuesi ka të drejta. Edhe polici ka të drejta. Qytetarët kanë të drejtë të shprehin zemërimin, të kritikojnë qeverinë, të kërkojnë llogari dhe të kundërshtojnë politikat publike. Policia nuk është aty për t’ua hequr këto të drejta, por për të garantuar sigurinë dhe rendin, duke respektuar ligjin.
Por demokracia nuk matet vetëm nga ajo që lejohet të bëjë turma. Matet edhe nga mënyra se si trajtohet individi që qëndron përballë saj. Nëse një protestues goditet pa shkak, kjo duhet hetuar. Nëse një polic goditet, fyhet, sulmohet apo vihet në rrezik, edhe kjo duhet trajtuar me të njëjtën seriozitet. Nëse polici përdor forcë të tepruar, duhet të mbajë përgjegjësi. Nëse protestuesi ushtron dhunë, duhet të mbajë përgjegjësi edhe ai.
Nuk mund të kemi drejtësi me përzgjedhje. Nuk mund të kërkojmë shtet ligjor vetëm kur na leverdis dhe ta përqeshim ligjin kur ai na vendos kufij. Asnjë uniformë nuk e vendos njeriun mbi ligjin. Por asnjë turmë nuk e vendos veten mbi ligjin vetëm sepse pretendon se po proteston. Shkopi nuk është simbol i autoritetit. Të jemi të qartë: nuk po kërkojmë duartrokitje për çdo veprim të policisë. Policia duhet të kontrollohet, të trajnohet, të japë llogari dhe të ndëshkohet kur shkel ligjin. Përdorimi i forcës nuk mund të justifikohet me faktin se dikush mban uniformë. Autoriteti i vërtetë nuk buron nga shkopi i gomës, por nga ligjshmëria e veprimit.
Por po kërkojmë edhe një gjë tjetër: të mos e trajtojmë policin si një objekt pa ndjenja, të cilit mund t’i hidhen fyerje, kërcënime dhe goditje, me idenë se ai duhet të durojë gjithçka sepse paguhet për këtë. Paga nuk e shuan dinjitetin. Uniforma nuk e zhduk njeriun. Dhe detyra nuk e bën askënd të denjë për t’u bërë shënjestër.
Në fund të fundit, pyetja është e thjeshtë: çfarë shoqërie duam të ndërtojmë? Një shoqëri ku respektohet ai që punon, apo një shoqëri ku puna e ndershme bëhet objekt talljeje? Një shoqëri ku protestuesi mund të kundërshtojë pa u frikësuar, apo një shoqëri ku kundërshtimi kthehet në justifikim për dhunë? Një shoqëri ku policia zbaton ligjin dhe jep llogari, apo një shoqëri ku kërkojmë prej saj të zbatojë ligjin vetëm kur na pëlqen rezultati?
Sepse polici nuk është armiku i qytetarit vetëm pse vesh uniformë. Dhe protestuesi nuk është armik i shtetit vetëm pse ngre zërin. Por, kur dikush kalon nga protesta te dhuna, nga kundërshtimi te sulmi, nuk mund të kërkojë imunitet moral vetëm duke u fshehur pas së drejtës për të protestuar. Ky është shteti që duhet të kërkojmë. Jo shteti ku polici ka gjithmonë të drejtë. As shteti ku turma ka gjithmonë të drejtë. Por shteti ku askush nuk e ka të drejtën të dhunojë dhe askush nuk e ka privilegjin të mos japë llogari.

