21.2 C
Tirana
Tuesday, July 14, 2026

Metani: Nuk ka asnjë rast që të ketë patur kalime afatesh procedurale sa i përket hetimeve dhe procedimeve disiplinore ndaj magjistratëve

Gjatë sesionit të pyetje përgjigjeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Artur Metani deklaroi se nuk ka kalime afatesh procedurale sa i përket hetimeve disiplinore dhe procedimeve disiplinore, në asnjë rast.

“Nuk ka asnjë rast, që ka qenë në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili t’i ketë shpëtuar përgjegjësisë disiplinore, kur e ka merituar atë. Asnjë rast. Këtë e verifikojnë, apo e mbështesin edhe ankesat që qytetarët kanë ndaj vendimmarrjeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të cilat kanë shkuar në Këshillin përkatës. Dhe në asnjë rast Këshillat nuk kanë vendosur që vendimmarrjet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë kanë qenë të paplota në hetimin që ka kryer, apo në verifikimin që ka kryer, apo jo profesionale. Dhe për mua ky është standardi që do vlerësoja personalisht” tha Metani në përgjigje të interesimit të deputetëve.

Duke u ndalur tek analiza e punës dhe vendimarrjes, Metani tha se “në asnjë rast nuk kemi vlerësuar ndonjë mangësi në punën tonë dhe këtë e mbështesim jo vetëm me analizën që i bëjmë vetes, por edhe të gjitha procedimet disiplinore që Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka dërguar në Këshilla, i janë nënshtruar një verifikimi nga inspektorë të Këshillit të Lartë Gjyqësor spanjoll. Dhe raporti që ata kanë bërë është në faqe. Dhe në të gjithë raportet disiplinore që ne i kemi dërguar Këshillit, sipas vlerësimit të këtyre inspektorëve jashtë institucioneve shqiptare, kanë qenë vetëm dy vërejtje për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. E para që raporti i hetimit disiplinor, pra kërkesa për procedim është shumë e gjatë. Dhe e dyta, ka të bëjë me një masë, që kërkon Inspektori i Lartë i Drejtësisë për uljen e pagës. Sipas inspektorëve spanjollë, kjo është një masë që ndoshta prek jo vetëm gjyqtarët, por prek edhe familjen e gjyqtarëve. Kështu që në këtë pikë, inspektori duhet të jetë më i kujdesshëm në kërkimin e kësaj mase”.

I pyetur për fenomenin e zvarritjes, Metani theksoi se “ne kemi kryer edhe inspektime tematike, që kanë rezultuar edhe me procedime disiplinore, por edhe inspektime individuale, pra të ankesave të qytetarëve, të cilat kanë çuar padyshim edhe në procedime disiplinore. Për vonesat e përsëritura, kemi çuar 5 raste. Për mospërmbushje të justifikuara ose të përsëritura të funksioneve gjatë gjykimit, janë 4 raste. Për veprime apo mosveprime të kryera nga magjistrati, që sjell përfitime të padrejta ose dëme për palët në proces gjyqësor, janë 3 raste. Dhe kështu me radhë. Por për vonesat e përsëritura, i kemi çuar me masa të rënda, madje edhe vjet çuam për masa të rënda. Këshilli nuk e gjeti me vend propozimin e bërë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, në dy raste që çuam për zvarritje, apo zbardhjen me vonesë të vendimeve gjyqësore. Megjithatë, kjo është çështje e vlerësimit të Këshillit, në raport me atë që…mesazhin që duhet të japin institucionet bashkë, në raport me qytetarët, apo me qytetarët dhe prokurorët. Por kjo është çështje diskrecioni dhe nuk është çështje që mund t’i hyhet ndonjë vlerësimi të mëtejshëm”.

Në përfundim të përgjigjeve të tij, Metani tha se “nuk ka asnjë rast në tavolinën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, asnjë magjistrat, prokuror apo gjyqtar, që ta ketë merituar për të qenë pjesë e procedimit disiplinor dhe të mos jetë bërë pjesë e procedimit disiplinor. Dhe këto nuk janë gjetje të mia, por janë ankesa që janë verifikuar edhe nga ata që monitorojnë punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Efekti i inspektimeve për kohëzgjatjen e vonesave. Në fakt, është një çështje shumë e drejtë, me thënë të drejtën. Ne mundohemi ta balancojmë edhe me ngarkesën që kemi, edhe me numrin e inspektorëve që kemi, sepse të matësh efikasitetin e rekomandimeve, të cilat ti ke lënë, ka nevojë të bësh një inspektim të dytë, apo një proces të dytë verifikimi të atyre gjërave që janë gjetur apo janë rekomanduar. Dhe natyrisht, kjo do kohë, do edhe burime njerëzore, do edhe metodologji, të cilën jemi duke e zhvilluar edhe në përputhje me partnerët ndërkombëtarë”.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat