29.8 C
Tirana
Friday, July 3, 2026

Mazhoranca me pretekstin se po i bën “nder” Prokurorëve të SPAK, është gati të ndryshojë Kushtetutën për të “rregulluar” reformën në drejtësi

Njeriu të cilit Rama i ka lënë me u marr me institucionet e drejtësisë, Ulsi Manja shprehu dakordësinë e tij në lidhje me ndryshimin në ligjin për mandatet e prokurorëve të posaçëm, që për momentin janë vetëm 9 vite, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Gjatë vlerësimit të tij në lidhje me punën e bërë nga SPAK, Manja u shpreh se është i gatshëm të iniciojë ndryshime kushtetuese që lidhen me zgjatjen apo rikandidimin e prokurorëve, teksa deputetët e opozitës, Bylykbashi dhe Strazimiri e kundërshtuan ashpër, duke thënë se e kanë votuar “qorrazi” ligjin aktual.

“SPAK është organ kushtetues, ka jetëgjatësi si institucion. Pasi prokurorët akumulojnë gjithë këtë eksperiencë, i thuhet të largohen dhe nuk u lejohet të rikandidojë. Kush dëshiron të rikandidojë, duhet t’i shtrohet një procesi vlerësimi për tu rizgjedhur. Ndaj unë u kërkoj edhe kolegëve të opozitës, sepse kjo kërkon edhe inciativë politike. Ka kushtëzime edhe sa i përket privatësisë suaj. Personalisht ndaj këtë mendim, ju duhet të keni të drejtën të kandidoni për një mandat të dytë në KLP si të gjithë prokurorët e tjerë të sistemit. Përkohshmëria e prokurorëve e cënon cilësinë e hetimit. Bashkojmë votat, ndryshojmë kushtetutën dhe të heqim kufizimin për mandatin. Bashkë e kemi votuar ligjin aktual, 140 vota. Ti thua jam kundër zgjatjes së mandatit” tha Manja.

Bylykbashi: Ka qenë një deputet këtu që e votoj me sy mbyllur, edhe ti e ke votuar me sy mbyllur këtë ligj.

Manja: Ti ke votuar me sy mbyllur ligjin e dekriminalizimit. Shkruajte nesër në mëngjes, pasi na mblodhe në darke. Të duket i varur institucioni i SPAK.

Strazimiri: Ju thoni mbaroi mandati dhe për shkak të dosjeve që kanë mbetur të ndryshojmë kushtetutën.

Manja: E drejta për të rikandiduar është e drejtë kushtetuese.

Bylykbashi: Ligji aktual nuk thotë kështu.

Manja: Hajde ta ndryshojmë.

Bylykbashi: Komisioni i Venecias ka thënë ndryshe.

Manja: Po, por Komisioni i Venecias sugjerime jep. Gjërat nuk janë të shkruara në gur dhe nuk ndryshojnë.

Bylykbashi: Unë kam ndenjur shumë ditë pa gjumë për atë ligj.

Manja: Ishte i nevojshëm ky debat, sepse doja të kuptoja qasjen e këtyre, sepse pas kamerave shprehen ndryshe.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat