Përplasje dhe tensione mes protestuesve dhe policisë paraditen e sotme (e enjte) përpara Parlamentit teksa deputetët do të mblidhen në seancën e radhës parlamentare. Disa prej protestuesve kanë goditur me vezë deputetët, çka ka bërë që policia të reagojë duke i shoqëruar në komisariat. Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të mos marrë pjesë në punimet e seancës së sotme. Mes thirrjeve të dëgjuara në protestë kanë qenë edhe slogane kundër deputetëve të opozitës, ndaj të cilëve janë artikuluar akuza si “opozitë e shitur”.
Në të njëjtën kohë disa protestues çanë gardhin metalik dhe tentuan të hyjnë brenda Parlamentit, gjë që bëri që Policia të përdorte edhe spray lotsjellës. Gjatë përplasjeve mbetën të plagosur shtatë efektivë policie, si dhe u lëndua një protestues. Sakaq policia ka shoqëruar 18 persona të cilët sulmuan me vezë makinat e deputetëve para parlamentit. Mësohet se 9 policë janë të plagosur, e po ashtu edhe 5 protestues të lënduar.
Rama deklaroi se protestuesit janë korba e sorra
Edi Rama, në vazhdën e sulmeve që ka ndërmarrë ndaj protestuesve të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij dhe qeveri teknike, tha se në Bulevard, dikur janë vrarë njerëz, e sot protestojnë. Sipas tij, mercenarë nga Prishtina dhe Tetova kanë ardhur në protestë dhe janë shfaqur si përfaqësues të diasporës.
“Kur shkon atje, një grup për të ushtruar presion fizik ndaj deputetëve, jemi në rrethana të tjera. Por ata nuk janë flamingo, ata janë paqësore. Sorrat dhe korbat janë të dhunshëm. Flamingot do i trajtojmë me shumë respekt. Me sorrat dhe korbat nuk kemi çfarë bëjmë fare. Në fund ata do jenë përsëri të humbur. Do shpërndahen kokrra kokrra”, theksoi Rama.

