26.5 C
Tirana
Monday, April 27, 2026

SPAK zbardh shifrat e 2025-s, Braho në KLP: Sekuestruam 45.4 milionë euro, përfshirë kriptovaluta (Strategji e re ndaj masave të sigurimit)

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur bilancin vjetor të punës, duke zbardhur shifra domethënëse që tregojnë një intensifikim të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe një strategji të re në përdorimin e masave të sigurisë.

Në raportin e paraqitur nga kreu i SPAK në KLP, Klodian Braho, vihet re një rritje prej 7% në numrin e çështjeve të përfunduara, ndërsa vendimet e Gjykatës së Posaçme janë rritur me 5.5% krahasuar me vitin pararendës. Efektiviteti në gjykim mbetet i lartë, me 87% të çështjeve (66 nga 76) që kanë përfunduar me vendime fajësie, duke dëshmuar për cilësinë e hetimeve të kryera.

Më pak “arrest me burg”, strategji e re ndaj masave të sigurimit

Një nga gjetjet më të spikatura të raportit është ndryshimi i qasjes ndaj masave të sigurimit. Masa “arrest me burg” ka pësuar një rënie drastike prej 53.4%, nga 236 raste në vitin 2024 në 110 raste në 2025. Kjo rënie reflekton zbatimin e parimit të proporcionalitetit, duke e konsideruar këtë masë si mjetin e fundit. Nga 434 persona nën hetim gjatë vitit, vetëm 110 janë hetuar në kushtet e arrestit me burg.

Goditje e fortë korrupsionit në nivele të larta

Lufta kundër korrupsionit mbetet një prioritet absolut, me një rritje prej 18% të çështjeve të reja të regjistruara (nga 186 në 220). SPAK thekson se korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues që përfshin zyrtarë vendorë, prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës policie. Gjatë vitit janë dërguar në gjykatë 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të zyrtarëve të lartë. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë nën hetim, gjysma e tyre (18 persona) janë dërguar për gjykim, ndërsa 10 prej tyre tashmë janë dënuar me vendim të formës së prerë.

Bilanc pozitiv edhe ndaj krimit të organizuar

Pavarësisht një numri më të ulët të hetimeve të reja, numri i çështjeve të përfunduara për krimin e organizuar është rritur me 3.4%. Më e rëndësishmja, ka një rritje prej 36.6% të numrit të personave të dërguar për gjykim, gjë që tregon një orientim më cilësor të hetimeve drejt strukturave të mirëorganizuara kriminale.

“Ndjekja e parave”: Sekuestrohen 45.4 milionë euro, përfshirë kriptovaluta

Parimi i “ndjekjes së parave” ka dhënë rezultate konkrete. Gjatë vitit, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arrin shifrën impresionuese prej 45.4 milionë eurosh. Për herë të parë, në këtë vlerë përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave me një vlerë ekuivalente prej 12.4 milionë eurosh (14.5 milionë dollarë). Vetëm nga çështjet që lidhen me zyrtarë të lartë, janë sekuestruar pasuri me vlerë 1.1 milionë euro dhe janë konfiskuar 100,000 euro.

Raporti i paraqitur nga SPAK vë në dukje gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me agjenci si Eurojust, Europol, FBI dhe DEA, me një rritje prej 35.7% të kërkesave për ndihmë juridike nga autoritetet e huaja, duke konfirmuar rolin e SPAK si një partner i besueshëm në luftën transnacionale kundër krimit.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat