25.5 C
Tirana
Monday, April 27, 2026

Policia deklaron se ka zbardhur ngjarjen dhe ka identifikuar ekzekutorët e çiftit Mujeci në Balldren (Vrasje për hakmarrje)

Policia ka identifikuar tre autorët e atentatit të ndodhur ditën e djeshme në Lezhë ku humbën jetën Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij.

Bëhet fjalë për shtetasit Adriano Mhillaj 22 vjeç, Florin Mhillaj 36 vjeç dhe Renato Mhillaj 23 vjeç.

Raportohet se një prej tyre, Renato Mhillaj është djali dhe dy të tjerët familjarë të Gegë Mëhillit, për vrasjen e të cilit akuzohej Kreshnik Mujeci ngjarje e ndodhur në vitin 2016.

Kreu i Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, ka dhënë detaje në lidhje me atentatin e regjistruar një ditë më parë në balldren të Lezhës, ku u ekzekutuan me armë zjarri Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.

Sipas Policisë, autorët kanë përdorur dy automjete në atentat, njëra prej të cilave e tipi “Audi A4”.

Po sipas policisë, nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci.

Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.

Ngjarja e 2016 

39-vjeçari, i cili mbeti viktimë e atentati dje brenda makinës së tij, ku udhëtonte me bashkëshorten në Balldren të Lezhës, është një emër i njohur për policinë.

Kreshnik Mujeci së bashku me vëllezërit e tij, Lin dhe Jozef Mujeci, akuzohen se vranë në 6 tetor të vitit 2016 Gegë Mëhillin (i njohur edhe si Genc Mhillaj apo Gent Pjetri).

Ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, pranë vendit të njohur si Mali i Jushit. Njëri prej vëllezërve, Jozefi, u arrestua një ditë pas ngjarjes kriminale, teksa ishte 21 vjeç.

Në tetor 2017, Kreshnik Mujeci dhe vëllai i tij, Jozef Mujeci janë arrestuar si të dyshuar për “vrasjen me paramendim” të shtetasit Genc Mhillaj, i cili pasi është dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë, ngjarje e ndodhur më 6 tetor 2016.

Pasi janë dërguar në gjykim për veprat penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”, më nëntor 2018, janë deklaruar të pafajshëm nga Gjykata e Shkodrës.

Në të njëjtin vendim është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i tyre. Prokuroria e ka ankimuar vendimin, ankim që është rrëzuar nga Apeli një vit më vonë. Ndërsa më tetor 2024, Gjykata e Lartë e ka kthyer çështjen për rigjykim në Apel.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi pas një sherri të një dite më parë të asaj kohe. Kreshnik Mujeci së bashku me vëllezërit e tij, i kishin prerë rrugën kamionit me të cilin Mhillaj transportonte miell dhe e qëlluan me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat