22.7 C
Tirana
Thursday, July 23, 2026

Rama shkon në Kuvend për të votuar, opozita bllokon foltoren, votohen pa debat projektligjet në rendin e ditës (Gaz Bardhi lag me ujë Kryeministrin, dilema ishte me apo pa gaz)

Seanca plenare në Kuvend u shoqërua me tensione të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku në qendër të debatit ishte raporti i ekspertëve për Reformën Territoriale.

Përplasjet nisën pasi opozita kërkoi shtyrjen me tre muaj të afatit të punës së komisionit për Reformën Territoriale, kërkesë që u kundërshtua nga mazhoranca.

Debatet u përshkallëzuan, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren e Kuvendit, duke shkaktuar kaos në sallë dhe detyruar drejtuesin e seancës të ndërpriste punimet për pesë minuta.

Gjatë seancës ishte i pranishëm edhe Edi Rama, i cili rikthehej në sallën e Kuvendit pas një mungese të gjatë. Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi që procedura të kalonte menjëherë në votim, pa vijuar diskutimet.

Pas rifillimit të seancës, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e kaloi çështjen direkt në votim. Raporti i ekspertëve, i hartuar nga bashkëkryetari i komisionit për Reformën Territoriale, Arbion Mazniku, u miratua me 84 vota pro të deputetëve të mazhorancës.

Opozita nuk mori pjesë në procesin e votimit dhe vijoi protestën në sallë. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar nga seanca plenare, pasi ka lagur me ujë Kryeministrin Rama.

Deputetët e opozitës bllokuan foltoren teksa votoheshin projektligjet e rendit të ditës dhe në një moment ata nisën të hidhnin ujë në drejtim të Ramës, duke e lagur.

Për këtë veprim, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi Bardhin nga seanca. Megjithatë ai vijoi të qëndrojë në sallë, teksa ligjet votohen njëri pas tjetrit.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat