27.4 C
Tirana
Monday, June 8, 2026

Rama: Protestojnë blogerët që s’i japin as 1 euro taksë shtetit, Projekti 4 miliard për zvërnecin do bëhet 

Kryeministri Edi Rama ka thumbuar blogerët e influencerët që kundërshtojnë investimin në Zvërnec të Vlorës dhe që akuzojnë qeverinë për korrupsion. Nga Elbasani, ku u festua 35-vjetori i PS-së së degës, Rama tha se blogerët marrin para për të treguar trupin e tyre dhe nuk i paguajnë shtetit asnjë taksë. Kryeministri shtoi se kur ishte i ri, pjesët e trupit të tij i tregonte pa asnjë lek.

“Flamingot i priste pushka dhe horrat që kishin liri të bënin masakër në çdo vend ku kishte shpendë e kafshë. Horrat që e kishin mbushur detin e liqenet me tela korrenti. I vrisnin peshqit me tela korrenti. Nëse flamingot do të kishin gojë të flisnin, nuk diskutohet që… Edhe ngjyrën nuk e kanë rastësisht ngjyrën e PS. Ne nuk jemi tradhtarët. Na tregojnë këta korrupsionin. Na e tregojnë korrupsionin blogerët që nuk lënë para pa mbledhur duke treguar të gjitha anët e trupit, që unë i kam treguar pa lekë kur isha i ri dhe që nuk i japin 1 euro taksë shtetit shqiptar. 1 euro taksë nuk paguajnë ata blogerë e influencerë”, tha mes të tjerash Rama.

Kryeministri Edi Rama, teksa ka folur nga Elbasani për protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, ka theksuar se ai resort që pritet të ndërtohet atje, do të jetë motorr për gjithë ekonominë shqiptare.

“Shikoni Greqinë se çfarë ka bërë me turizmin dhe shikoni edhe Malin e Zi në veri, sesa shumë kanë fituar me turizmin. Mali i Zi është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor për pensione, për paga dhe mirëqenie. Është një vend që nuk ka industri dhe bujqësi. Si ka mundësi që ka të ardhura për frymë më të larta edhe se vetë Serbia? Vetëm për një arsye, sepse Mali i Zi ka bërë atë që sot na ka ardhur radha ta bëjmë ne dhe që kanë dalë në protestë ata atje. Dhe për këtë është bërë gjithë kjo çorbë, duke ngatërruar mbrojtjen e natyrës me lloj lloj axhendash të tjera. Nëse ai projekt në Malin e Zi do të ishte bërë këtu, ku edhe ishte në fillim, sepse këtu i mbyllën derën atij investitorit kanadez, më saktë i kërkuan pjesën, atëherë Mali i Zi nuk do të ishte bërë ky që është sot. Ata që thonë ‘ne nuk na duhet turizmi i luksit’, ata nuk e dinë se ato resorte dhe hotele janë motor të ekonomisë së tyre. Sepse ato resorte dhe hotele nuk janë të shkëputura nga realiteti i vendit. Ato resorte janë arsyeja që shteti merr më shumë taksa. Ai Porto Montenegro në Tivat, u vendos në një zonë që ishte zona më e prapambetur në Malin e Zi. Sot Tivati pret 5 milionë turistë në vit. Projekti që po i bëhet rezistencë në mënyrën më absurde, është një investim prej 4 miliardë eurosh dhe është investimi më i madh në Europë prej shumë vitesh. Ne ta bëjmë si lopa, që e mbysh kupën dhe pastaj i bie me shkelm në fund?”, tha mes të tjerash Rama.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat