Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë (8 qershor) në Kamëz, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri. Policia konfirmoi se rreth orës 11:25 është marrë informacion se në spital është transportuar pa shenja jete shtetasi Ardian Baloshi, rreth 27 vjeç.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para procedurale. Nga hetimet paraprake dhe provat e administruara deri tani, dyshohet se Baloshi është qëlluar me armë zjarri në rrugën ‘Dervish Luzha’, pas një konflikti për motive të dobëta.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar të ngjarjes shtetasin Sadik Llanaj, rreth 39 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Për kapjen e tij janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore, ndërsa forca të shumta policore po zhvillojnë kontrolle intensive në terren për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Detaje
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 26-vjeçarit Ardian Baloshi. Sipas informacioneve më të fundit, si viktima ashtu edhe autori i dyshuar, Sadik Llanaj, rezultojnë të jenë banorë të zonës së Kamzës. Mësohet se Ardian Baloshi ndodhej në rrugë i shoqëruar me persona të tjerë në momentin kur autori i dyshuar Sadik Llanaj i është afruar me automjetin e tij.
Sapo është gjendur pranë tyre, Llanaj ka hapur zjarr duke lënë të plagosur rëndë 26-vjeçarin. Pas të shtënave, kanë qenë kalimtarët e rastit ata që i kanë dhënë ndihmën e parë të riut dhe e kanë dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës, ku ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Ndërkohë, bëhet me dije se ngjarja nuk ka qenë krejtësisht e rastësishme. Dyshohet se mes viktimës dhe autorit ka pasur një konflikt të mëparshëm, çka duket se ka shtyrë Llanajn drejt sulmit të sotëm.
Menjëherë pas kryerjes së krimit, autori është larguar me shpejtësi nga vendngjarja me të njëjtin automjet me të cilin erdhi.

