Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Al Jazeera se projekti në Zvërnec, i cili kap vlerën e miliarda dollarëve, do të realizohet pavarësisht kundërshtive dhe protestave masive që po mbahen në vend. Kryeministri ka theksuar se ky investim përfaqëson një mundësi të rëndësishme zhvillimi ekonomik për vendin. Gjatë intervistës, Rama hodhi poshtë raportimet se qeveria po shet ose po i kalon pronë publike investitorëve privatë, duke theksuar se bëhet fjalë për një marrëveshje mes palëve private.
“Asnjëherë nuk ka qenë në diskutim nëse ky projekt do të realizohet apo jo. Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 27 miliardë eurosh flet vetë. Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”, deklaroi Rama.
Tubimit në Shqipëri i kanë bërë jehonë edhe mediat ndërkombëtare. Protesta e djeshme u transmetua LIVE edhe nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve reuters. Sot shënohet dita e dhjetë e protestës, ku përveç tubimeve masive në Kryeqytet ka pasur edhe në rrethe dhe kudo ku ka shqiptarë. Protesta nga diaspora ka pasur në Milano, Firence, Londër, Oslo, Austri, Gjermani dhe në disa vende të SHBA-së, ku me pankarta, flamuaj dhe brohorima, shqiptarët kanë shprehur pakënaqësi ndaj qeverisjes dhe kanë kërkuar largimin e Ramës.

