Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë që të fillohet procedim disiplinor për prokuroren e Albjona Papajani dhe gjyqtaren Lumturi Zhupa, të cilat e ushtrojnë funksionin në Berat, me argumentin se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë pasjellë mospërllogaritjen e kohës së paraburgimit të kryer nga një i dënuar jashtë shtetit, në pritje të ekstradimit të tij.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani i kërkoi të enjten Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP që të fillojnë procedime disiplinore për prokuroren Albjona Papajani dhe gjyqtaren Lumturi Zhupa, të cilat e ushtrojnë funksionin në Berat. Të dyja magjistratet janë hetuar nga ILD lidhur me mospërllogaritjen e kohës së paraburgimit të kryer jashtë shtetit nga një i dënuar, në pritje të ekstradimit, që konsiderohet si shkelje e të drejtave të tij, pasi ka pasjellë qëndrimin në burg për një kohë më të gjatë nga masa e dënimit që duhej të kryente.
Përfaqësuesi i ILD-së, parashtroi në KLP se prokurorja Papajani ka kryer veprime dhe mosveprime të përsëritura dhe të pajustifikuara lidhur me ekzekutimin e vendimeve penale dhe bashkimin e dënimeve të një të dënuari. Sipas ILD, megjithëse shkelja është kryer nga pakujdesia, në formën e neglizhencës, ka vijuar në kohë dhe në disa faza të procedurës.
Po ashtu, konstatohet se prokurorja Papajani nuk ka vepruar, edhe kur ka marrë dijeni për dokumentacionin e ekstradimit dhe për periudhën e paraburgimit të vuajtur nga i dënuari në Greqi, si dhe nuk është korrigjuar deri në momentin kur ka kryer kërkesë Avokati i Popullit.
Për arsye se shkelja vlerësohet të jetë kryer nga neglizhenca, pa pasur ndonjë qëllim, si dhe për shkak të sjelljes bashkëpunuese gjatë hetimit, ILD vlerëson se duhet që këto rrethana të konsiderohen si faktorë legtësues. Në përfundim, ILD kërkon që ndaj Papajanit të caktohet masa disiplinore me ulje të përkohshme të pagës deri në 40%, për një periudhë jo më të gjatë se një vit.
Papajani konstatoi se nga rrethanat e evidentuara nga hetimi nuk mund të caktohet masa disiplinore e kërkuat nga ILD. Ajo vërejti se ka qenë hallka e fundit në këtë proces. Po ashtu, solli në vëmendje të anëtarëve të këshillit se kishte kërkuar marrëveshje që ti caktohej një vërejtje konfidenciale, por nga inspektori nuk i ishte kthyer përgjigje. KLP e shtyu seancën për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare më datë 7 tetor, në orën 10:00.
Edhe për gjyqtaren Lumturi Zhupa, ILD vlerëson se ajo ka kryer veprime dhe mosveprime që përbëjnë shkelje disiplinore. Sipas Inspektorit, kur gjyqtarja ka shqyrtuar kërkesën për bashkimin e dënimeve të të njëjtit të dënuar, nuk ka zbatuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë dispozitat ligjore lidhur me përllogaritjen e pjesës së pavuajtur të dënimit, si dhe atë njohjes së periudhës së paraburgimit të vuajtur jashtë territorit të Shqipërisë, për qëllime ekstradimi.
ILD vlerëson se për shkak të shkeljes së magjistrates Zhupa, të dënuarit i është privuar liria për një periudhë të gjatë kohe.
Edhe në këtë rast, ILD vlerëson se Zhupa nuk ka vepruar me dashje apo me neglizhencë të rëndë, por se ka vepruar nga pakujdesia. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se ajo ka administruar provat e nevojshme dhe është përpjekur të arsyetojë vendimmarrjen e saj, por analiza juridike ka rezultuar e paplotë.
Nisur nga fakti se ajo ka qenë magjistrate e re në kohën e kryerjes së shkeljes, si dhe për arsye të qëndrimit bashkëpunues, është konsideruar se ka kryer shkelje të lehtë disiplinore.
ILD i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor, pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Vërejtje publike”.
Gjyqtarja deklaroi në seancën dëgjimore se vendimi ka qenë i bazuar në bindjen e brendshme. Ajo parashtroi se nuk provohej shkelja profesionale në këtë rast. Palët dhe kërkuan shtyrjen e seancës për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare.

