31 C
Tirana
Thursday, September 17, 2026

Ditë zie për kombin shqiptar, Gjykata Speciale në Hagë “në emër të Kosovës” dënon me 81 vite burg për ish-krerët e UÇK-së

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka shpallur sot aktgjykimin në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas vendimit, të katër të akuzuarit janë shpallur penalisht përgjegjës për krime lufte që lidhen me ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturën ndaj 303 personave dhe vrasjen e paligjshme të 96 personave.

Trupi Gjykues i ka shpallur të katër ish-krerët e UÇK-së të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi Prokurori i Specializuar nuk ka arritur të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik ndaj një popullate civile.

Të akuzuarit janë shpallur gjithashtu të pafajshëm lidhur me një numër incidentesh të tjera të krimeve të luftës.

Për sa i përket dënimeve, Trupi Gjykues ka vendosur që Hashim Thaçi të dënohet me 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim.

Në dënimet e shqiptuara është llogaritur edhe koha që katër ish-krerët e UÇK-së kanë kaluar në paraburgim.

Pjese nga vendimi

Z. Hashim Thaçi mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve në mënyra të ndryshme që përfshinin si vijon. Përmes publikimit të komunikatave dhe deklaratave politike dhe përdorimit të “luftës speciale”, z. Thaçi shprehu tolerancë dhe inkurajim për kryerjen e krimeve kundër kundërshtarëve.

Z. Thaçi gjithashtu mori pjesë personalisht në krime, përfshirë në arrestimin, ndalimin dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve në Qirez dhe Baicë, në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit, dhe kishte dijeni për arrestimin dhe ndalimin e disa personave të tjerë.

Në lidhje me Behajdin Allaqin, Trupi Gjykues konstatoi se në vitin 1993, Behajdin Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën, të cilët e akuzuan se kishte sjellë një spiun të pretenduar të Serbisë, Shaban Shalën, në radhët e lëvizjes politike të cilës i takonin, me çka i kishte vënë në rrezik të madh anëtarët e lëvizjes.

Kjo rezultoi në marrjen prej z. Thaçi të rolit që i ishte premtuar Behajdin Allaqit. Trupi Gjykues gjithashtu ka konstatuar se para zhdukjes së tij, Behajdin Allaqi kishte qenë nën vëzhgimin e shërbimit të zbulimit të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kishin kërkuar të informoheshin për praninë e tij në shtabin e UÇK-së në Drenoc.

Më 11 qershor 1998, ose rreth kësaj date, Behajdin Allaqi u nis prej shtëpisë së vet dhe shkoi në shtabin e UÇK-së në Drenoc. Pak më pas, mbërritën z. Thaçi dhe Kadri Veseli. Ata e morën Behajdin Allaqin në pranga. Behajdin Allaqi nuk u pa më kurrë dhe Trupi Gjykues është bindur se ai u vra.

Për të fshehur përgjegjësinë, personat në fjalë ndërmorën masa të ndryshme. Më 1 nëntor 1998, u publikua Komunikata 61 nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ku thuhej se Behajdin Allaqi kishte rënë dëshmor në betejë. Kjo ishte mbulesë që kishte për qëllim të fshihte të vërtetën për atë që i kishte ndodhur Behajdin Allaqit. Po kështu, pas luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Azem Syla u përpoqën të qetësonin familjen e Behajdin Allaqit me ryshfet dhe premtime në mënyrë që të hiqte dorë nga kërkimi i drejtësisë dhe i së vërtetës. Është meritë e jashtëzakonshme e familjes që u rezistoi këtyre ofertave.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat