32.9 C
Tirana
Thursday, September 10, 2026

Bën kërdinë duke mashtruar me Call Center, SPAK ekzekuton 8 masa sigurie, 3 në kërkim! Paratë ktheheshin në kriptovaluta

SPAK, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka vijuar hetimet për një skemë të dyshuar mashtrimi kompjuterik përmes shitjeve online dhe investimeve fiktive në bursa.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ekzekutuar 8 nga 11 masat e sigurisë të vendosura ndaj shtetasve shqiptarë, të dyshuar si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se ushtronte aktivitet të paligjshëm të mashtrimit kompjuterik përmes shitjeve online.

Hetimi lidhet me procedimin penal nr. 300/1 të vitit 2021 dhe është vijim i veprimeve hetimore të nisura pas kontrolleve dhe sekuestrimeve të pajisjeve elektronike në ambientet e qendrës së thirrjeve “Bluenergycall shpk”, në rrugën e Kavajës, Condor Center, Tiranë, më 16 mars 2022.

8 masa sigurie

Sipas SPAK, për tre prej të dyshuarve, me inicialet Gj., G.Sh. dhe E.P., është caktuar masa “arrest në burg”.

Ata dyshohen për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, të kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale që lidhen me krijimin dhe veprimtarinë e grupit të strukturuar kriminal.

Për Gj.K., B. dhe I.G. është caktuar masa “arrest në shtëpi”, ndërsa për Gj. dhe Dh.L. është vendosur masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Si funksiononte skema e mashtrimit

Nga provat e sekuestruara dhe të dhënat e administruara gjatë hetimit, të analizuara në bashkëpunim me autoritetet gjermane, dyshohet se shtetas gjermanë dhe persona të tjerë europianë kontaktoheshin nga agjentë të “Bluenergycall shpk” dhe bindeshin të investonin në tregjet ndërkombëtare përmes platformave të dyshuara si mashtruese.

Sipas hetimit, viktimat depozitonin paratë në llogari bankare në vende të ndryshme, përfshirë Bullgarinë, Lituaninë, Poloninë dhe Qipron. Më pas, paratë dyshohet se transferoheshin në mënyrë të njëpasnjëshme në llogari të tjera ose konvertoheshin në kriptovaluta, duke e vështirësuar gjurmimin e tyre.

SPAK thekson se një pjesë e veprimtarisë së dyshuar të mashtrimit është kryer përmes dy adresave IP të përdorura nga subjekti “Bluenergycall shpk” në Shqipëri.

Gjatë kontrolleve të 16 marsit 2022, autoritetet shqiptare sekuestruan dhe ekstraktuan të dhëna elektronike, të cilat më pas u analizuan nga autoritetet gjermane të drejtësisë, përfshirë Zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme të Bambergut për krimet kibernetike.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat