25.5 C
Tirana
Tuesday, July 28, 2026

DASH: Disa zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe individë me interesa të fuqishme biznesi kanë mundësi t’i shmangen përgjegjësisë ligjore

Raporti i fundit i sigurisë për Shqipërinë nga Overseas Security Advisory Council (OSAC), një strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit evidenton disa problematika që lidhen me luftën kundër korrupsionit.

Sipas raportit, vendi ynë vazhdon të përballet me probleme të thella që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe pandëshkueshmërinë e personave me pushtet.

Sipas raportit, krijimi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sjellë rritje të hetimeve dhe ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, politikanëve dhe personave me ndikim ekonomik. Megjithatë, dokumenti nënvizon se mbetet një shqetësim fakti që disa zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe individë me interesa të fuqishme biznesi vazhdojnë të kenë mundësi t’i shmangen përgjegjësisë ligjore.

“Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Me krijimin e SPAK-ut në vitin 2019, arrestimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve që kryejnë abuzime është rritur, megjithatë shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi janë ende në gjendje t’i shmangen ndjekjes penale. Korrupsioni vazhdon të jetë një problem serioz në qendrat e paraburgimit, veçanërisht në lidhje me aksesin në punë dhe programet speciale të lirimit”, thekson raporti.

Sipas vlerësimit, korrupsioni prek fusha të rëndësishme të funksionimit të shtetit, përfshirë sistemin gjyqësor, administratën publike, prokurimet qeveritare dhe menaxhimin e kontratave publike. Investitorët e huaj, sipas raportit, e konsiderojnë mungesën e transparencës, konkurrencën e kufizuar dhe zbatimin e dobët të kontratave si ndër pengesat kryesore për klimën e biznesit.

Raporti po ashtu nënvizon se krimi i organizuar mbetet një nga kërcënimet kryesore për sigurinë në Shqipëri. Grupet kriminale shqiptare përmenden për aktivitet në trafik droge, pastrim parash, korrupsion, trafikim njerëzor dhe forma të tjera të kriminalitetit ndërkombëtar.

Sipas dokumentit, një nga sfidat kryesore për autoritetet shqiptare është dobësimi i ndikimit të këtyre rrjeteve dhe parandalimi i ndërthurjes së interesave kriminale me biznesin dhe institucionet publike.

Raporti vlerëson punën e SPAK dhe strukturave të tjera ligjzbatuese, por thekson se korrupsioni institucional, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe burimet e kufizuara vazhdojnë të pengojnë një goditje të plotë ndaj rrjeteve kriminale.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat