Mbi dy milionë pelegrinë myslimanë nga vende të ndryshme të botës u mblodhën në Mali Arafat për të kryer ritualin më të rëndësishëm të Haxhit, në prag të festës së Kurban Bajrami.
Besimtarët u ngjitën në malin e shenjtë për të shënuar Ditën e Arafatit, një nga momentet më të rëndësishme në kalendarin islam, ku myslimanët luten për falje, mëshirë dhe paqe për veten dhe familjet e tyre.
Sipas traditës islame, në këtë vend Profeti Muhamed mbajti predikimin e tij të fundit. Pelegrinët do të vijojnë më pas ritualet e tjera të Haxhit, përfshirë ceremoninë simbolike të goditjes me gurë të djallit, që shënon edhe nisjen e festimeve të Kurban Bajramit.
Pavarësisht temperaturave ekstreme që kanë kaluar 45 gradë Celsius dhe tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, miliona besimtarë udhëtuan drejt Arabia Saudite për të përmbushur një nga pesë shtyllat e Islamit.
Autoritetet saudite kanë vendosur masa të shtuara sigurie dhe mbrojtjeje shëndetësore për të shmangur incidentet nga i nxehti ekstrem, pas rasteve tragjike të viteve të fundit, ku gjatë sezonit të Haxhit humbën jetën mbi 1300 persona.
Për menaxhimin e pelegrinazhit janë angazhuar më shumë se 250 mijë punonjës, përfshirë ekipe mjekësore, forca sigurie dhe shërbime emergjente.
Haxhi konsiderohet një detyrim fetar që çdo mysliman duhet ta kryejë të paktën një herë në jetë, nëse ka mundësi fizike dhe financiare, ndërsa mbetet një nga grumbullimet më të mëdha fetare në botë.

