Policia braziliane ka arrestuar për llogari të autoriteteve shqiptare Ervin Matën, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit kriminal. Arrestimi u krye në qytetin Ilha Bela.
39-vjeçari fshihej në Brazil, duke përdorur dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara.
Mata akuzohet se ka koordinuar një grup kriminal për trafikimin e 240 kilogramëve kokainë më datë 29.09.2020, në kuadër të një rrjeti me shtrirje në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe disa vende të Europës.
Ndaj tij, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar që në vitin 2023 masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Hetimet për këtë grup janë zhvilluar nga SPAK, në bashkëpunim me EUROPOL dhe EUROJUST, si dhe me autoritetet ligjzbatuese të disa shteteve, përfshirë Belgjikën, Francën, Holandën, Gjermaninë, Brazilin dhe Kolumbinë.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në vitin 2023, gjatë një procedimi të regjistruar nga SPAK, janë kryer hetime, në bashkëpunim me EUROJUST, EUROPOL dhe me agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa shtete europiane.
Gjithashtu hetime janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme, të ndodhura në Shqipëri.
Në kuadër të këtij procedimi, shtetasi E. M. dyshohet se ka koordinuar bashkëpunëtoret e tij, për trafikimin e 240 kg lëndë narkotike kokainë, më datë 29.09.2020.
39-vjeçari u kap në qytetin e Ilha Bela, dhe kishte në përdorim dokumente identifikimi angleze, të falsifikuara”, bëri me dije policia.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Brasilia, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit E. M., në Shqipëri.”- njofton policia.
CNN zbulon detaje nga arrestimi
CNN raporton se Ervin Mata, në kërkim ndërkombëtar për veprimtari kriminale, është arrestuar gjatë operacionit që u zhvillua në Ilhabela, në bregdetin e shtetit São Paulo, nga Policia Federale në bashkëpunim me Policinë Ushtarake lokale.
Arrestimi u bë i mundur pas informacioneve të inteligjencës, të cilat tregonin se ai ishte zhvendosur nga rajoni Baixada Santista drejt Bregut Verior. Gjatë patrullimit, i dyshuari u lokalizua në një ambient biznesi dhe më pas u shoqërua në stacionin e Policisë Federale në São Sebastião.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi dy telefona celularë dhe dokumente që i përkisnin Matës, të cilat pritet të shërbejnë për thellimin e hetimeve.
Nga lidhja me Elvana Gjatën te masakra e ish-Bllokut, kush është Ervin Mata që u arrestua në Brazil

