Fjala e z. Artur Metani në takimin e përbashkët me Këshillat për vlerësimet etiko-profesionale të gjyqtarëve e prokurorëve dhe uljen e backlog-ut
Faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të ndarë disa konsiderata në kuadër të këtij takimi të katërt të përbashkët të institucioneve tona. Kjo mbledhje e përbashkët vjen në një moment të rëndësishëm, i cili kërkon më shumë se reflektim, kërkon qartësi në qëndrime, koordinim real dhe vendimmarrje konkrete. Sfida që kemi sot përpara dhe jo vetëm në lidhje me tematikën e sotme, e cila ka të bëjë me vlerësimin etik dhe profesional të magjistratëve, por edhe shumë çështje të tjera në lidhje me organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, nuk është më vetëm identifikimi i problematikave, pasi ato janë tashmë të njohura, por aftësia jonë për t’i adresuar ato në mënyrë të qëndrueshme, me përgjegjësi institucionale dhe me rezultate sa më të shpejta dhe konkrete.
Së pari, në çdo rast ky proces duhet të jetë real dhe jo formal. Procesi i vlerësimit duhet të konceptohet dhe të ndërtohet si një mekanizëm i besueshëm, që funksionon në praktikë dhe prodhon rezultate të matshme. Vlerësimi duhet të mbulojë të gjithë përvojën profesionale të magjistratëve, meritat e magjistratit, kualifikimin, integritetin, aftësinë dhe efikasitetin e tij, duke respektuar parimin e pavarësisë së magjistratëve. Objektivat për zhvillimin profesional të magjistratit, duhet t’i përgjigjen nevojave reale, të cilat vinë nga vlerësimi i punës së tij, me qëllim që rekomandimet për përmirësim të jenë realiste dhe të mundshme për t`u realizuar. Objektivat për zhvillimin profesional të magjistratit duhet të burojnë nga përvoja konkrete e ushtrimit të funksionit dhe nga realiteti i përditshëm i punës. Jo nga modele të përgjithshme dhe as nga qasje të shkëputura nga praktika. Vetëm në këtë mënyrë, rekomandimet për përmirësim marrin vlerë të vërtetë, kur janë të zbatueshme, të matshme dhe kur kontribuojnë realisht në rritjen e cilësisë së ushtrimit të detyrës.
Së dyti, procesi i vlerësimit duhet ndërtuar në mënyrë të tillë që të sigurojë vlerësimin etik dhe profesional në kohë të magjistratëve. Mungesa e koherencës ndërmjet vlerësimit dhe promovimit të magjistratëve duhet minimizuar. Një sistem vlerësimi etiko-profesional që nuk bazohet në meritokraci, si dhe që nuk shërben si një mjet për karrierën e magjistratit, rrezikon të dobësojë vetë themelet mbi të cilat ndërtohet drejtësia dhe të krijojë perceptime të padrejta në opinionin publik në lidhje me organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Nga ana tjetër, akumulimi i vlerësimeve të pambyllura është një tregues i qartë i një sistemi që nuk po funksionon me ritmin e duhur. Ky backlog krijon pasiguri, vonesa në zhvillimin e karrierës dhe dobëson efektivitetin e vetë procesit të vlerësimit. Kjo situatë kërkon masa të menjëhershme për reduktimin e backlogut, por njëkohësisht edhe marrjen e një sërë masave që të parandalojnë rikrijimin e tij. Përshpejtimi i procesit kërkon jo vetëm angazhim, por edhe riorganizim dhe mekanizma të qartë monitorimi.
Së treti, një dimension po aq i rëndësishëm është cilësia e vetë procesit të vlerësimit. Ndërsa rishikimi i metodologjisë së vlerësimit etiko-profesional duhet të synojë më pak formalizëm dhe më shumë përmbajtje, thjeshtim të treguesve apo indikatorëve, përmirësim të të dhënave statistikore dhe rritje të peshës së elementeve, apo treguesve cilësore. Përmirësimi i cilësisë dhe besueshmërisë së të dhënave statistikore përbën një parakusht thelbësor për ndërtimin e një procesi vlerësimi etiko-profesional objektiv dhe të qëndrueshëm në kohë. Pa një bazë të dhënash të saktë, të plotë dhe të përditësuar, çdo përpjekje për vlerësim rrezikon të mbështetet në tregues të pjesshëm apo të pasaktë, duke cenuar dhe vetë integritetin e procesit të vlerësimit etiko-profesional të magjistratëve.
Në këtë kuptim është e domosdoshme që të sigurohet standardizimi i mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave, si dhe ndërtimi i sistemeve të integruara që garantojnë transparencë, gjurmueshmëri dhe akses të kontrolluar në informacion. Vetëm përmes një infrastrukture të tillë mund të arrihet që të dhënat statistikore të shndërrohen në një instrument real vendimmarrjeje, i cili mbështet një vlerësim të drejtë dhe të mbështetur në të dhëna të sakta. Njëkohësisht, ky proces nuk mund të kuptohet i shkëputur nga infrastruktura, kushtet materiale dhe funksionale në të cilat ushtrohet veprimtaria e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë. Për këtë arsye, përmirësimi i infrastrukturës dhe i sistemeve të gjykatave dhe prokurorive përbën një komponent thelbësor, i cili ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e punës, në cilësinë e të dhënave dhe për rrjedhojë, edhe në objektivitetin e procesit të vlerësimit etiko-profesional të magjistratëve.
Të nderuar pjesëmarrës,
Procesi i vlerësimit etik dhe profesional të magjistratëve është një mekanizëm që funksionon vetëm nëse hallkat e tij janë të sinkronizuara. Çdo paqartësi në role, apo çdo vonesë në bashkëpunim prodhon efekte zinxhir në të gjithë pushtetin gjyqësor. Është koha që bashkëpunimi ndërinstitucional të mos mbështet mbi një qasje formale, por të kthehet në një mekanizëm funksional, të matshëm dhe të orientuar drejt rezultateve.
Roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është i lidhur ngushtë me garantimin e integritetit dhe forcimin e llogaridhënies në pushtetin gjyqësor. Por duhet të jemi të qartë se kjo nuk është përgjegjësi e një institucioni të vetëm. Ai varet nga aftësia jonë për të vepruar si një sistem i koordinuar, ku çdo institucion kontribuon në mënyrë të matshme dhe në kohë, si dhe ku secili institucion luan rolin e tij kushtetues dhe ligjor. Në këtë kuadër vlen të theksohet se harmonizimi i standardeve ndërmjet KLP dhe KLGJ, ILD apo Prokurorit të Përgjithshëm është një domosdoshmëri. Një sistem me standarde të ndryshme nuk mund të prodhojë një proces të barabartë dhe as besim publik.
Kjo qasje nuk kërkon vetëm vullnet të mirë, por kërkon veprim real. Ky takim sotëm duhet të shërbejë pikërisht qëllim, duke kaluar nga analiza në veprim; nga identifikimi i problematikave në zbatimin e zgjidhjeve; si dhe nga pritshmëritë në rezultate konkrete. Jam i bindur se përmes këtij dialogu të përbashkët dhe angazhimit konkret institucional do të arrijmë të adresojmë sfidat ekzistuese dhe të ndërtojmë një proces vlerësimi etik-profesional për magjistratët më efektiv, më të drejtë dhe më funksional.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin tuaj, ju uroj punë të mbarë.

