24.5 C
Tirana
Tuesday, April 28, 2026

Vlerësimi etiko-profesional si kusht për meritokracinë, funksionimin e sistemit dhe uljen e backlog-ut

Fjala e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Sokol Sadushi, në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Dëshiroj së pari të vlerësoj zhvillimin e kësaj mbledhjeje të përbashkët ndërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Tema e zgjedhur prek një nga çështjet më të rëndësishme për mirëqeverisjen e sistemit të drejtësisë: vlerësimin etik dhe profesional të magjistratëve dhe lidhjen e tij të drejtpërdrejtë me karrierën, plotësimin e vakancave dhe uljen e backlog-ut.

Vlerësimi etik dhe profesional nuk është formalitet administrativ. Vonesa në këtë proces ndikon drejtpërdrejt në karrierën e magjistratëve, në plotësimin e vendeve vakante dhe në kapacitetin real të gjykatave e prokurorive për t’iu përgjigjur ngarkesës së tyre.

Pikërisht këtu qëndron lidhja thelbësore me funksionimin e sistemit. Vlerësimi në kohë është kusht për një karrierë të bazuar në meritë; karriera e bazuar në meritë është kusht për plotësimin e drejtë dhe të shpejtë të vendeve vakante; ndërsa plotësimi në kohë i gjykatave dhe prokurorive është një nga parakushtet kryesore për uljen e backlog-ut.

Kjo çështje ka edhe një tjetër dimension. Vlerësimi etik dhe profesional ishte një nga pikat më të dobëta të sistemit të drejtësisë para reformës. Pikërisht pamundësia për të garantuar një vlerësim të besueshëm, të shpejtë dhe transparent të magjistratëve ishte një nga arsyet e riformatimit institucional. Reforma në drejtësi nuk synoi thjesht ndryshimin e emrave të institucioneve, por ndryshimin e mënyrës se si sistemi vetëqeveriset, si zgjedh, si promovon, si kontrollon dhe si mban përgjegjësi. 

Prandaj sot duhet të jemi të kujdesshëm që të mos riprodhojmë, me institucione të reja, dobësi të vjetra. Kemi KLGJ dhe KLP të dala nga reforma, me legjitimitet të ri kushtetues, me kompetenca të qarta dhe me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për karrierën e magjistratëve. Pikërisht për këtë arsye pritshmëria është më e lartë. Nuk mjafton të kemi ligj të ri, apo metodologji dhe rregullore të reja. Pyetja themelore është: a po funksionon vlerësimi në kohë dhe a po shërben ai realisht për administrimin e karrierës dhe për uljen e vonesave në sistem?

Duhet ta pranojmë hapur se, pavarësisht përpjekjeve të bëra, vlerësimi etik dhe profesional nuk ka arritur ende të funksionojë me ritmin, rregullsinë dhe ndikimin që kërkon ligji dhe që pret sistemi. Ende konstatohet prapambetje e ndjeshme në kryerjen e vlerësimeve; ende ka magjistratë për të cilët vlerësimi nuk është kryer në kohën e duhur; ende ka procedura karriere që ndikohen nga mungesa e vlerësimeve të përditësuara.

Kur vlerësimi kryhet me vonesë, ai nuk e përmbush plotësisht qëllimin e tij. Ai nuk orienton në kohë karrierën, nuk mbështet në kohë ngritjen në detyrë, nuk ndihmon në kohë plotësimin e vakancave dhe nuk i shërben në mënyrë efektive uljes së çështjeve të prapambetura. Prandaj problemi nuk është vetëm sa vlerësime janë kryer, por nëse ato janë kryer në kohën kur sistemi ka pasur nevojë për to.

Këtë e ka evidentuar edhe Progres Raporti i Komisionit Evropian, kur thekson se efikasiteti i këshillave në emërimin, promovimin, transferimin dhe vlerësimin e magjistratëve mbetet ende problematik dhe ndikon në cilësinë dhe efikasitetin gjyqësor në të gjitha nivelet. Po ashtu, zhvillimi i karrierës mbi bazë merite dobësohet në praktikë kur vlerësimet cilësore të magjistratëve kryhen me ritëm të ngadaltë.

Kjo është një kambanë alarmi, sepse meritokracia nuk matet me deklarata. Meritokracia matet me procedura që mbyllen në kohë, me vlerësime që janë të besueshme, me renditje që janë të qarta, me promovime që nuk vonohen dhe me gjykata që plotësohen.

Ligji e sheh gjykatën jo thjesht si godinë apo si strukturë formale, por si institucion që duhet të funksionojë realisht, me numër të mjaftueshëm gjyqtarësh, me administratë të organizuar dhe me shërbime mbështetëse efektive. Megjithatë, organizimi në letër nuk mjafton. Një gjykatë e parashikuar në organikë, por e paplotësuar me gjyqtarë, nuk është funksionale në kuptimin real të shërbimit që i detyrohemi qytetarit. 

Një sistem që vonon vlerësimin, vonon promovimin; një sistem që vonon promovimin, lë bosh gjykatat; dhe një sistem që lë bosh gjykatat, prodhon backlog.

Përvoja e Gjykatës së Lartë është një shembull që duhet parë me kujdes. Kur procedurat e emërimit dhe plotësimit të trupës gjyqësore ecën, rezultatet u bënë të matshme. Gjykata e Lartë arriti të ulë ndjeshëm stokun e çështjeve të prapambetura. Ky shembull nuk duhet përdorur për vetëkënaqësi institucionale, por për një mesazh të thjeshtë: backlog-u nuk është fatalitet; backlog-u ulet kur institucionet funksionojnë në kohë, kur vakancat plotësohen dhe kur organizimi i brendshëm mbështetet nga vendimmarrje të shpejta dhe të përgjegjshme.

Megjithatë, pikërisht për shkak se përvoja e Gjykatës së Lartë tregon sa shumë ndikon plotësimi në kohë i trupës gjyqësore në uljen e backlog-ut, duhet të themi qartë se kjo përvojë nuk mund të mbahet si e mirëqenë nëse vendet vakante nuk plotësohen në kohë. Sot, dy vende vakante në Gjykatën e Lartë mbeten ende të paplotësuara; njëri prej tyre lidhet me një vakancë të hapur që në nëntor të vitit 2024, ndërsa tjetri me një vakancë të hapur në nëntor të vitit 2025, dhe ende nuk është përmbyllur zgjedhja e gjyqtarëve të rinj. Nuk është e kuptueshme dhe nuk mund të konsiderohet normale që plotësimi i një vendi vakant në gjykatën më të lartë të vendit të zgjasë kaq gjatë, kur ligji kërkon që procedura të përfundojë brenda dy muajve. Çdo vonesë e tillë ka pasoja të drejtpërdrejta: ul kapacitetin vendimmarrës të Gjykatës së Lartë, ngadalëson uljen e backlogut dhe dobëson besueshmërinë e mekanizmave të karrierës që reforma në drejtësi synoi t’i bënte më të shpejtë, më transparentë dhe më meritokratikë.

Në të kundërt, gjykatat e apelit, si ato të juridiksionit të përgjithshëm ashtu edhe gjykata administrative e apelit, mbeten ndër organet më të rënduara të sistemit. Objektivat për uljen e çështjeve të prapambetura në këto gjykata janë ambicioze, por ato nuk mund të arrihen nëse mekanizmat e karrierës, vlerësimit dhe plotësimit të vakancave nuk ecin me ritëm shumë më të lartë.

Prandaj, sot duhet të flasim për masa konkrete, përgjegjësi të qarta dhe afate reale për përfundimin e vlerësimeve. Është e vërtetë se procesi i vlerësimit është kompleks, pasi kërkon të dhëna statistikore të sakta, staf të dedikuar, bashkëpunim me gjykatat dhe prokuroritë, administrim dokumentacioni, verifikim ankesash dhe koordinim ndërinstitucional. Të gjitha këto janë arsye për të vepruar më shpejt, jo për të pranuar ngadalësinë si normalitet.

KLGJ dhe KLP duhet ta trajtojnë vlerësimin etik dhe profesional si prioritet strategjik. Jo si një proces dytësor administrativ, por si një proces me afate të qarta, objektiva të matshme, përgjegjësi të përcaktuara dhe raportim publik periodik.

Ajo që duhet të kërkohet nga sot e tutje është e qartë: kalimi nga konstatimi i problemit te një plan konkret veprimi, me përgjegjësi të ndara dhe rezultate të matshme.

Së pari, duhet një plan i përbashkët pune, i matshëm dhe realist, për eliminimin gradual të prapambetjes së vlerësimeve. Jo vetëm program vjetor, por kalendar i qartë me objektiva konkrete, afate, përgjegjësi të përcaktuara dhe raportim periodik.

Së dyti, duhet forcim i kapaciteteve njerëzore të njësive të vlerësimit. Nuk mund të kërkojmë ritëm të lartë pa staf të dedikuar, të trajnuar dhe të mjaftueshëm.

Së treti, duhet digjitalizim real i të dhënave statistikore. Vlerësimi nuk mund të mbështetet në të dhëna të vonuara, të paplota ose të mbledhura manualisht me vështirësi. Pa statistika të sakta nuk ka vlerësim objektiv dhe pa vlerësim objektiv nuk ka meritokraci të besueshme.

Së katërti, duhet thjeshtim i metodologjisë aty ku ajo prodhon ngarkesë të panevojshme, pa cenuar cilësinë. Vlerësimi duhet të jetë i thelluar, por jo i paralizuar nga formalizma që vonojnë përfundimin e tij.

Së pesti, duhet harmonizim real ndërmjet KLGJ-së dhe KLP-së. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë funksione të ndryshme, por standardet bazë të etikës, profesionalizmit, meritokracisë dhe transparencës duhet të jenë të krahasueshme.

Dhe së fundi, duhet të kuptojmë se çdo vlerësim i vonuar ka një kosto. Nuk është vetëm kosto për magjistratin që pret karrierën e tij. Është kosto për gjykatën që mbetet pa gjyqtar. Është kosto për prokurorinë që nuk plotëson strukturën. Është kosto për qytetarin që pret vendimin. Është kosto për besimin publik te drejtësia.

Në përfundim, dëshiroj të theksoj se reforma në drejtësi nuk mund të matet vetëm me krijimin e institucioneve të reja. Ajo duhet të matet me funksionimin e tyre. Dhe një nga provat më të rëndësishme të funksionimit të sistemit të ri është pikërisht vlerësimi etik dhe profesional i magjistratëve.

Nëse sistemi para reformes u kritikua sepse nuk vlerësonte në kohë, nuk promovonte me meritë dhe nuk garantonte transparencë të mjaftueshme, sistemi i ri nuk ka luksin të përsërisë të njëjtin defekt.

Sot duhet të pranojmë se janë bërë hapa të rëndësishëm, por ende jo të mjaftueshëm për ta kthyer vlerësimin etik dhe profesional në një mekanizëm që funksionon në kohë dhe me ndikim real në karrierën e magjistratit. Kjo është një nga hallkat që kërkon vëmendje të menjëhershme, sepse prej saj varen jo vetëm vendimmarrjet individuale për emërim, ngritje në detyrë, transferim apo komandim, por edhe aftësia e gjykatave dhe prokurorive për të funksionuar me kapacitetin e nevojshëm.

Për këtë arsye, sfida nuk është vetëm të kemi rregulla të mira, por t’i bëjmë ato efektive në kohën e duhur. Një sistem që vlerëson në kohë, promovon më drejt; një sistem që promovon më drejt, plotëson më shpejt vakancat; dhe një sistem që plotëson më shpejt vakancat, ka më shumë mundësi të ulë ngarkesën dhe t’i përgjigjet qytetarit brenda një afati të arsyeshëm. Ky duhet të jetë drejtimi ynë i përbashkët. 

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat