26.5 C
Tirana
Monday, April 27, 2026

Mungoi avokati, shtyhet gjyqi në themel për Veliajn, kryebashkiaku Tiranës njoftoi se nuk ka dëshirë të shkojë… (Nuk ka transmetim live të procesit)

Gjyqi në themel për kryetarin e arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Megjithatë, në seancën e sotme Veliaj nuk është paraqitur personalisht. Sipas raportimeve, ai ka refuzuar të marrë pjesë duke deklaruar: “S’dua të vij, të përfaqësohem nga avokati”.

Vendimi i tij për të munguar në sallën e gjyqit vjen pasi gjykata rrëzoi kërkesën e tij që procesi gjyqësor të transmetohej drejtpërdrejt për publikun.

Gjyqtarja e GJKKO, Engjëllushe Tahiri e rrëzoi kërkesën e të parit të Tiranës me argumentin se dy prej të pandehurve, Elman Abule dhe Adela Kondakçiu, nuk pranuan që seanca të transmetohet live. Vetë Veliaj nuk shkoi në seancë, por deklaroi se do të përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca. 

“Unë këmbëngul që për shkak të statusit të veçantë që ka i mbrojturi prej meje, është bazike që qytetarët e Tiranës të dëgjojnë çfarë ka prokuroria për kryetarin e bashkisë. I mbrojturi prej meje është zgjedhur nga 160 mijë qytetarë të Tiranës dhe është kryebashkiak, ndaj duhet të dëgjohet çdo gjë që ndodh në këtë seancë. Është e drejtë e të gjithëve për të dëgjuar se çfarë ndodh në këtë proces gjyqësor”, tha avokati Plarent Ndreca.

“Ne si organ akuze nuk kemi problem, por transmetimi live mund të shqetësojë procesin. Në çështjet penale ku ka dëshmitarë, veçanërisht bashkëpunëtorë të drejtësisë, nuk lejohet transmetimi live. Kjo nuk ndodh as në rajon, as në Evropë dhe as në gjykatat federale në SHBA. Mund të lejohen kamera për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, iu përgjigj Dumani.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat