26.5 C
Tirana
Monday, April 27, 2026

Nis me shtyrje gjyqi në themel për dosjen ‘Meta’, mungon nëna e Kryemadhit! GJKKO nuk lejon transmetimin e gjithë seancës live! Ish-presidenti: Procesi i montuar…

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Metës që seancat gjyqësore të transmetohen live, dhe për të qëndruar jashtë kabinës së qelqtë. Seanca e sotme u shty për shkak se mungoi Fatime Kryemadhi dhe avokatët e saj nuk kishin prokurë për ta përfaqësuar. GJKKO pezulloi afatet e paraburgimit për Metën.

Ndërsa seanca e radhës u caktua për më 11 maj në orën 12:00, brenda sallës gjyqësore kamerat e mediave u lejuan për të përcjellë drejtpërdrejt për publikun fazën e legjitimimit të palëve në proces. Kreu i Partisë së Lirisë i ka kërkuar GJKKO-së që seancat gjyqësore ndaj tij, të transmetohen live për mediat. Për këtë kërkesë të ish-presidentit, gjyqtarja Etleva Deda ka deklaruar në seancë se ekziston një vendim i Këshillit të Lartë Gjyqësor që nuk lejon transmetimin e seancave gjyqësore. 

Po ashtu, gjyqtarja Deda i rrëzoi avokatit Kujtim Cakrani kërkesën për nxjerrjen e Metës nga kabina e qelqtë në sallë, duke theksuar se kjo nuk e privon nga të drejtat proceduriale dhe themelore që mbart një proces i rregullt ligjor.

Seanca e parë e gjyqit në themel të dosjes “Meta”, u shty për shkak se të mungesës së Fatime Kryemadhit, dhe se avokatët e saj nuk kishin prokurë për ta përfaqësuar. Gjithashtu, togat e zeza pezulluan edhe afatet e paraburgimit për kreun e Partisë së Lirisë. 

SPAK u përfaqësua në seancën e parë të gjyqit në themel të dojes “Meta”, nga prokurori i Posaçëm, Sotir Kllapi. 

Deklarata e plotë e Metës: 

Asnjë çudi nga Drejtësia me Regji.

Edhe kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës, funksionarët publikë gjykoheshin pranë avokatëve të tyre dhe çdo seancë gjykimi transmetohej live.

Por në drejtësinë e George Sorosit, të realizuar me angazhimin e ditur të Charles McGonigal dhe plot të tjerëve si ai, në vend që të respektohet Kushtetuta, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe thirrja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shndërrohet në normë standardi i gjykimit të një terroristi në Francë dhe jo standardi i gjykimit të Presidentit të Francës, Sarkozi.

Madje drejtësia sorosiste nuk respekton as standardin e gjykimit të ish-Kryeministrit Nano dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist, kur e theksoj, Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës.

Loja e zvarritjeve të seancave, me sebepe nga më të ndryshmet, vazhdon nën dirigjimin e prokurorëve, të cilët dihet se kush i komandon.

Sidoqoftë, ka një “koherencë” të plotë, nga standardet e rrëmbimit tim më 21 tetor 2024 e deri te standardet e sotme të gjykimit, sepse për këtë regjim kukullash, të jesh patriot ne fakt do të thotë të jesh terrorist.

Jam krenar për patriotizmin tim dhe kjo më bën të pamposhtur dhe superior përballë burracakëve, që i shërbejnë bandës ndërkombëtare të George Sorosit dhe Kuislingut të tij në Tiranë, që ka nxjerrë në shitje çdo interes kombëtar.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat