Zamira Voci
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, që as e priste të ishte në atë pozicion, e madje
mezi u përtyp kur dëgjoi emrin e lakuar nga kryeministri i ngarkuar për të krijuar
qeverinë e pas zgjedhjeve të vitit 2025, ende nuk e ka mësuar se deklaratat politike nuk
duhen ngatërruar kurrsesi me faktet.
Ndoshta, kur ka qenë zv.ministër i Brendshëm i ka mbetur ora tek teknikalitetet dhe
ende harron që ministri merret me politika e jo statistika. Se futesh në një ”terr shifror”,
që nuk i bën mirë as pozicionit, por fillon e ngatërron dynjanë. Pa hyrë në detaje, por,
ministri në 26 janar, në të vetmin takim deri tani me institucionet e Drejtësisë ngriti
akuza pa asnjë bazë ndaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke lënë enkas për
lavdërime Gjykatën e Lartë, që ka një mal me dosje për shqyrtim dhe është në pikë të
hallit. Megjithatë, unë nuk kam qëllim të jem avokat i gjyqtarëve dhe as e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por duke hulumtuar disa shifra për arsye studimore pashë që informacioni publik në faqen e ILD, është krejt tjetër nga ai që thotë ministri pa përvojë Besfort Lamallari.
Sipas të dhënave publike, që po i përfshij në një studim të plotë për Drejtësinë në
Shqipëri, duke përfshirë gjykatat, SPAK, ILD, KLP, KLGJ dhe Kushtetuese, më bëjnë
përshtypje disa shifra, që vërtetë janë kokëforta dhe e nxjerrin bllof ministrin. Ja ta nisim
me radhë. Në faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që prej nisjes së
funksionimit të këtij institucioni e deri të hënën që shënoi nisjen kalendarike të kësaj
jave janë regjistruar 8788 ankesa nga qytetarë, apo institucione. Dhe nga ky numër
ankesash janë trajtuar 6613 ankesa, pra për këtë numër ankesash (6613) ka një
vendim, për procedim, hetim, apo arkivim. Dhe 2175 ankesa janë në proces trajtimi.
Mjaftojnë vetëm këto tre shifra për ta rrëzuar ministrin Lamallari, kur deklaron se janë
trajtuar vetëm 2 për qind të ankesave. Në rastin më të mirë ministri është keqinformuar
nga vartësit, në rastin më të keq është keqdashës, kur ka provokuar me deklarata
shifrash aspak të vërteta. Nëse ministri ka dashur populizëm, ka zgjedhur gabim. Nëse
ka dashur të godasë institucionet e Drejtësisë prapë ka vepruar taktikisht gabim, sepse
nuk mund ta bënte këtë me shifrat, sepse shifrat janë krejt të tjera nga ato që thotë
ministri.
E për të vijuar me shifrat. 140 ankesa janë në process verifikimi, pra janë shqyrtuar dhe
për to ka një vendim verifikimi, çka nënkupton, se është kaluar faza e parë e shqyrtimit
dhe është vendosur verifikimi i ankesës. Por, këto ministri ose nuk njeh ligjin, ose bën
sikur nuk e njeh procesin.
Në studimin tim, institucioni i parë që kam marrë në shqyrtim është ILD dhe një tjetër
shifër që më bëri të mendohem e të sjell sërish ndërmend deklaratën ministrore është
hetimi i magjistratëve, të cilët në informacionin e tyre public thuhet se janë 144 të hetuar
në pak më shumë se 5 vjet, pra i bie 24 magjistratë të hetuar në një vit dhe nga këto
hetime, 53 janë procedime disiplinore dërguar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe
Këshillit të Lartë Gjyqësor, pra pak a shumë 10 procedime në vit, e nëse duhet edhe më
e detajuar afërsisht një procedim në muaj.
Pra, nëse duhet bërë politikë, le të bëjë kush të dojë, por ministri nuk ka pse më
ngatërron mua në studimin tim, kur thotë zyrtarisht se janë 2 për qind e ankesave të
trajtuara, sepse më përfshin në dilemën, kë të besoj ministrin, apo shifrat publike në
faqen zyrtare të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Dhe, nuk po vijoj më tej, sepse, në ato shifra të përmendura më lart, ka ende. Psh,
inspektimet. Janë 30 në total, dhe 17 të përfunduara e me raporte, të publikuara. Tani,
lexuesi nuk e di nëse me jep një mendje, se cilat shifra duhet të referoj në rastin e
studimit tim, ato të ministrit, apo ato të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, edhe pse jam
vënë në dijeni, se shifrat e ILD janë ato që dërgohen çdo vit në Kuvend, në momentin e
dorëzimit të raporteve vjetore. Ndaj për ministrin, nëse nuk na ndihmoni në punën tonë, të paktën mos na ngatërroni, se shifrat janë shumë më kokëforta, se deklaratat tuaja!

