12.5 C
Tirana
Monday, February 16, 2026

Rama nxjerr “jashtë loje” SPAK, dorëzon nismën ligjore që ndalon pezullimin nga detyra për Kryeministrin

Edi Rama do të mbledhë mëngjesin e kësaj të hëne grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku do të prezantojë edhe ndryshimet e propozuara ligjore, në lidhje me pezullimin nga detyra të një ministri.

Ndryshimet ligjore mbajnë firmën e Edi Ramës, kreut të grupit të PS, Taulant Balla dhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Pas diskutimit në grupin e PS, propozimi me ndryshimet ligjore do të depozitohet në Kuvend.

Edi Rama ka shqiptuar një nga shprehjet më të pavërteta të jetës së tij politike kur në monologun e përjavshëm të podcastit “Flasim”, ka thënë se mbrojtja për Belinda Ballukun nuk është një çështje personi, por një çështje parimi.

Gjoja për të ruajtur principin e ndarjes së pushteteve, ai ka deklaruar se do t’i propozojë parlamentit një ndryshim në ligj, ku pezullimi i ministrave të bëhet këtej e tutje i pamundur. “Unë, së bashku me Kryetarin e grupit Taulant Balla dhe me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, pra, me tre firmat tona do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë”, deklaroi ai duke shtuar se këtë do ta bëjë përpara grupit parlamentar të socialistëve.

Ajo që kryeministri nënkupton është ndryshimi i nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, i cili deri më tani ndalonte pezullimin nga detyra vetëm për personat e zgjedhur. Kurse sipas propozimit Rama, Balla, Manja këtej e tutje, mburojë do të ketë edhe Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.

Pra, propozimi i ri, i cili erdhi si rrjedhojë e debatit për pezullimin e Belinda Ballukut, mëton t’i pengojë gjykatave që këtej e tutje të “ngrijnë” nga detyra, një ministër madje dhe vetë kryeministrin.

Dhe pikërisht këtu duket qartë se loja të cilën Rama e shet si thjeshtë parimore, është në fakt vetëm personale. Po të ishte ashtu si pretendon kryeministri, mazhoranca socialiste mund të ndiqte betejën në kushtetuese, mund të bënte siç po vepron tani edhe ndryshimet ligjore në Kodin Penal, por ama nuk do refuzonte t’i bindej kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres, proces i cili nuk kishte lidhje me asnjë nga dy të tjerët.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat