26.5 C
Tirana
Wednesday, September 10, 2025

Zbulohet si zhvillohet orientimi seksual dhe periudha kur përcaktohet se nga cila gjini tërhiqesh

Seksualiteti është i shumëllojshem. Se nga cila gjini tërhiqesh, përcaktohet gjatë pubertetit. Ndërveprimi i faktorëve biologjikë dhe psikosocialë ka rëndësi thelbësore.

35 vjet më parë miliona njerëz në mbarë botën “u shëruan” papritmas. Atë ditë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e hoqi homoseksualitetin nga lista e sëmundjeve njerëzore.

Deri në maj të vitit 1990 dashuria midis të njëjtit seks konsiderohej si “sëmundje mendore”. Të prekurit shpesh mbylleshin në spitale psikiatrike ose burgje dhe “trajtoheshin” me elektroshok ose psikoterapi të dyshimta.

Sot është plotësisht e qartë se personat homoseksualë, biseksualë apo transeksualë nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë të sëmurë, thotë Prof. Dr. Klaus M. Beier, Drejtor i Institutit për Seksologji dhe Mjekësi Seksuale në Spitalin Charité në Berlin. Seksualiteti njerëzor është i shumëllojshëm. “Ndërkohë është e qartë: Askush nuk e zgjedh orientimin e tij seksual. Ai është fat, jo zgjedhje. Nën ndikimin e hormoneve seksuale në pubertet zhvillohet ajo që ekspertët e quajnë “strukturë e preferencës seksuale”. Dhe që në rini është e programuar se nga cila gjini tërhiqet njeriu, cili është lloji i fizikut të personit të dëshiruar dhe çfarë ndërveprimesh seksuale dëshiron me atë person.

Pas kësaj faze të zhvillimit në adoleshencë preferenca seksuale mbetet e qëndrueshme, thotë Beier. “Ajo është krijuar në rini dhe më pas mbetet e qëndrueshme gjatë gjithë jetës, pavarësisht dëshirës së ndonjërit për të ndryshuar orientimin seksual, për shembull për shkak të presionit shoqëror, për të qenë si të gjithë të tjerët.”

Jo-heteroseksualiteti problem në shumë vende

Tek të drejtat universale të njeriut bën pjesë e drejta për orientim të lirë seksual. Seksualiteti është dhe ka qenë gjithmonë i larmishëm. Ai nuk është as modë dhe as dukuri e shoqërive kryesisht liberale.

“Sipas të dhënave që kemi, orientimi drejt të njëjtit seks është i pranishëm tek rreth tre deri në pesë përqind e popullsisë dhe kjo vlen për të gjitha kulturat. Seksualiteti njerëzor karakterizohet nga ky diversitet dhe nuk ka tjetër”, thotë seksologu Beier. Prandaj është gabim të gjykosh ose edhe të dënosh dikë për shkak të orientimit të tij seksual.

“Megjithatë orientimi seksual i individëve polarizon shoqëri të tëra. Kjo nganjëherë çon në përjashtimin, diskriminimin dhe persekutimin e tyre. Homoseksualiteti për shembull është i dënueshëm në të paktën 67 vende, dhe në shtatë prej tyre veprimet seksuale me të njëjtin seks janë madje të dënueshme me vdekje.

Si zhvillohet orientimi seksual?

Një pyetje e thjeshtë, pa një përgjigje të thjeshtë apo përfundimtare.

“Sipas njohurive aktuale, ky është një proces shumëfaktorësh. Askush nuk ka qenë ende në gjendje të identifikojë ndonjë faktor të vetëm, që mund të quhet shkak për orientimin e një personi drejt të njëjtit seks dhe të një tjetri drejt seksit të kundërt”, thotë Beier. Prandaj mendohet se përgjegjës për zhvillimin e orientimit seksual është një ndërveprim kompleks i faktorëve biologjikë dhe socialë”.

Faktorët biologjikë

Ndër faktorët biologjikë me ndikim në zhvillimin e orientimit seksual, që janë studiuar, hyjnë gjenet, pra trashëgimia, si dhe hormonet (prenatale) dhe substancat kimike.

Orientimi seksual nuk është i lindur, pra nuk është i trashëgueshëm. Studimet mbi familjen dhe binjakët tregojnë një grupim të homoseksualitetit në disa familje. Megjithatë shënuesit gjenetikë të identifikuar janë pak relevantë; nuk ka asnjë “gjen homoseksualiteti”.

Hormonet dhe substancat e tjera kimike

Është e mundur që edhe hormonet si testosteroni dhe substancat kimike si feromonet të jenë përgjegjëse për zhvillimin e orientimit seksual. Feromonet janë aroma, që ndikojnë për shembull në sjelljen seksuale.

Studimet tregojnë se feromonet mashkullore stimulojnë aktivitetin e hipotalamit si tek gratë heteroseksuale ashtu edhe tek burrat homoseksualë, por jo tek burrat heteroseksualë.

Ndikimi social në orientimin seksual

Kukullat dhe fustanet për vajzat, veglat dhe makinat për djemtë. Zakonisht lodrat për femra ose meshkuj nuk kanë ndikim në orientimin seksual. E njëjta gjë vlen edhe për edukimin.

Disa njerëz e shprehin orientimin e tyre seksual më vonë në jetë, por preferenca seksuale në përgjithësi nuk ndryshon gjatë rrjedhës së jetës.

“Ne kemi prova shumë të forta, se kjo nuk është e mundur. Ka mjaft studime mbi orientimin seksual pas ‘përpjekjeve të pafat për t’i ndryshuar’ burrat me orientim drejt të njëjtit seks. Kjo u provua në një studim të gjerë të bërë në Shtetet e Bashkuara në vitet 1970. Pa asnjë sukses. Një provë e fortë se orientimi seksual është shumë i qëndrueshëm”.

Ndërsa orientimi seksual zhvillohet në pubertet, zhvillimi i identitetit gjinor fillon në fëmijëri dhe konsiderohet i plotë për shumicën e njerëzve deri në moshën pesë ose gjashtë vjeç, thotë Prof. Beier. Nga kjo moshë fëmijët mund të “shohin veten në gjininë e tyre të ardhshme dhe kështu të bëjnë supozime rreth të ardhmes së tyre si burrë apo grua”.

Pasi orientimi seksual përcaktohet një herë, ai nuk ndryshon më. As përmes “joshjes” ose kontakteve të hershme seksuale. “Një provë e rëndësishme për këtë”, thotë seksologu Beier, “është se ka shumë njerëz, që në rininë e tyre kanë pasur kontakt seksual me të njëjtin seks, por që nuk janë të orientuar nga i njëjti seks.”

Thelbësore për zhvillimin e identitetit është, nëse fëmijët përjetojnë mbështetje apo refuzim nga prindërit e tyre. Kur fëmijët dhe adoleshentët përjetojnë refuzim të fortë, ata zhvillojnë shpesh një vetëvlerësim relativisht të ulët. Kur refuzimi prindëror lidhet me identitetin ose orientimin seksual të fëmijës, mund të çojë në depresion dhe mendime vetëvrasëse.

Seksualiteti është i shumëllojshëm

Sidomos në shoqëritë ku pakicat seksuale margjinalizohen dhe persekutohen, është shumë i rëndësishëm një debat pa paragjykime rreth diversitetit seksual, thotë drejtori i Institutit për Shkencat Seksuale dhe Mjekësinë Seksuale në Spitalin Charité në Berlin.

Nga perspektiva e shkencës asnjë orientim seksual nuk është sëmundje apo “i panatyrshëm”. Ajo që tolerohet ose ajo që konsiderohet “normale” ose “e panatyrshme”, përcaktohet nga normat e shoqërisë. Këto norma mund të ndryshojnë ndjeshëm në varësi të kohës dhe kontekstit. Por natyra njerëzore nuk ndryshon./DW

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat