Gjatë një takimi me fermerët e Elbasanit në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, kreu i PD Sali Berisha, ka komentuar edhe skandalin me tonelata mish pule me salmonelë të importuara në vendin tonë nga Brazili.
Berisha hodhi akuza se biznesmeni Mondi Goxha, pronari i dy kompanive “AMG” dhe “diMal” të cilat importuan dhe shpërndanë në treg mishin e infektuar të pulës, është eksponent i Partisë Socialiste. Lideri demokrat tha se Rama u sëmur nga salmonela, por e ka mbajtur këtë të fshehtë duke gënjyer edhe mjekët.
“Para një muaji u shitën tonelata mish pule me salmonelë. Po. Dhe ishte eksponent socialist ai që i solli. Por, që duket se i kishte çuar edhe Edi Ramës në shtëpi të atilla dhe e kapi salmonela. E kapi salmonela dhe mjekëve u thoshte e kam nga breshka. Po ekzakt, se mban breshka në shtëpi ai për arsye të tjera. I mban për arsye shëndetësore. Tani imagjinoni se çfarë sigurie, kur salmonela shkon tek kryeministri, siguria është zero.” tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri krahasime me vendet e rajonit, ku sipas tij, fermerët subvencionohen 5 deri në 8 herë më shumë se në vendin tonë dhe se Edi Rama hapi doganat për prodhimet e Serbisë dhe Maqedonisë. Ai deklaroi se në Shqipëri sektori i bujqësisë dhe blegtorisë financohet vetëm 0.5% të prodhimit të brendshëm.
Berisha përmendi dhe fondet e IPARD nga BE për fermerët, ku sipas tij, i ka vjedhur Edi Rama dhe Olta Xhaçka me farefis. Ai përmendi faktin që pasi BE zbuloi skandalin, Edi Rama ministen e shkakruar të Bujqësisë e bëri këshilltare të tij. Sipas Berishës, kjo tregon se abuzimi ka qenë i përbashkët dhe se Frida Krifca vetëm sa ka zbatuar urdhrat e Ramës.
Gjithashtu, Berisha premtoi se ai fondin për bujqësinë do e çojë në 230 milion euro subvencione që fermerët shqiptarë të marrin po aq sa ata të rajonit.
“Fondi do të shkojë në 230 milionë euro subvencione. Do subvencionojmë, pa përjashtim, asnjë kriter tjetër përveç çdo kokë bagëti, çdo fidan të mbjellë, çdo njesi prodhimi. Heqim çdo pengesë tjetër ne, që duhet të jetë kaq hektarë e aq hektarë, që duhet të jenë kaq kokë dhe aq kokë, etj. me radhë. Jo, ai që ka, ai do marrë subvencionin. Në fakt, do ta tregoj shumë më tepër tani. Atëherë, jam përpjekur, por tani do ta tregoj shumë më tepër. Ua them unë, ju jap fjalën. Prandaj jam këtu sot unë” tha Berisha.